Rehn: Qeveria të përpiqet për zgjidhje
Burrel / Hasan Pasha
Përfaqësuesit e lartë të Bashkimit Evropian në Tiranë dhe Bruksel i bëjnë thirrje politikës shqiptare të gjejnë zgjidhje. Komisioneri Evropian për Zgjerimin, Olli Rehn, pret që qeveria e re e dalë nga zgjedhjet e fundit në Shqipëri të zgjidhë situatën politike që u krijua pas zgjedhjeve të qershorit me vendimin e opozitës për të qëndruar jashtë Parlamentit për sa kohë që nuk ka hetim të plotë të procesit të numërimit të votave. I pyetur për këtë çështje, gjatë një konference për shtyp në Bruksel, komisioneri në përgjigjen e tij nuk e përmend fare opozitën dhe as faktin e bojkotit të Kuvendit, por i drejtohet vetëm qeverisë duke i kërkuar të zgjidhë këtë sfidë politike. “Për Shqipërinë dhe sfidat e saj politike, unë besoj se qeveria e re do të mundohet ta zgjidhë këtë çështje që është e rëndësishme për kriterin politik të Kopenhagenit dhe duhet parë si një shans tashmë për të rritur stabilitetin politik e në këtë mënyrë evoluimin e orientimit europian të Shqipërisë”, u shpreh Rehn.
Lohan
Ndërsa, ambasadori i delegacionit të Komisionit Evropian, Helmuth Lohan, gjatë një vizite inspektimi të projekteve në qytetet Rubik e Burrel, iu përgjigj interesit të gazetës “Panorama” për situatën politike që po kalon vendi pas bojkotit të Parlamentit dhe zgjedhjeve të pjesshme vendore nga opozita. Duke kërkuar një sugjerim për klasën politike në vend, Lohan tha se, “do të sugjeronim që dialogu politik të zhvillohet në Parlament, sepse reformat që duhet të ndjekë Shqipëria kërkojnë legjislacion të ri dhe një pjesë e mirë e këtij legjislacioni kërkojnë maxhorancë të kualifikuar në Parlament. Deputetët e zgjedhur të opozitës duhet të marrin pjesë në Kuvend”. Ambasadori i delegacionit të Komisionit Evropian në Tiranë shprehet optimist se forcat politike do të gjejnë zgjidhje për t’i dhënë fund këtij ngërçi institucional. “Nuk mund ta imagjinoj që asnjëra palë nuk do të lëshojë pe për ecjen përpara të Shqipërisë”, u shpreh Lohan. Përfaqësuesit e lartë evropianë kanë dalë shumë herë jashtë gjuhës diplomatike lidhur me bojkotin e socialistëve ndaj Parlamentit, duke i kujtuar atyre se debati politik dhe të gjitha mosmarrëveshjet zgjidhen vetëm në sallën e Kuvendit. Ambasadori i Komisionit Evropian, Helmut Lohan nuk ka ngurruar t’i bëjë apel socialistëve për t’u kthyer në Kuvend që në nisjen e bojkotit të tyre. “Të gjithë e dimë qëndrimin e Komisionit Evropian. Debatet në demokraci bëhen në Parlament, jo jashtë tij”, është shprehur Lohan. Ky reagim i kreut të KE-së në vendin tonë erdhi menjëherë pas seancës së dytë plenare, ku të 65 deputetët e Partisë Socialiste munguan dhe për pasojë nuk bënë dhe betimin me rastin e zgjedhjes së tyre në 28 qershor. Ky qëndrim kritik i tyre vjen ndaj vendimit të selisë rozë për të mos shkuar në seancë, deri në plotësimin e kushteve që ata i kanë vënë pozitës, ku kryesori është ai për hapjen e kutive të votimit në tre qarqe të vendit. Por Lohan nuk ka reshtur përpjekjet e tij diplomatike me të gjithë faktorët politikë për gjetjen e një zgjidhje. Kryediplomati i KE-së në vendin tonë, Helmuth Lohan, e dërguara e Mbretërisë së Suedisë, Elisabeth Spam, vend që aktualisht mban presidencën e radhës së Bashkimit Europian, si dhe ambasadori spanjoll Manuel Montobbio, vendi i të cilit do të marrë presidencën e radhës në janar, zhvilluan një takim me kreun socialist Rama, tema e të cilit ishte dhënia fund e bojkotit dhe hyrja në Parlament.