E Diel, 1 Nëntor 2026

Tragjedia e mistershme në Tisa, “zhduken” 15 kosovarë

 

15 kosovarë janë zhdukur prej një jave në lumin Tisa, në kufirin që ndan Serbinë me Hungarinë, duke u deklaruar nga mediat herë të vdekur, e herë pa gjurmë jete apo vdekje. Policia kufitare e Hungarisë, që prej 15 tetorit po zhvillon kërkime në zonë, por deri më tani nuk ka gjetur as personat që kanë tentuar të kalojnë kufirin ilegalisht dhe as trupat e tyre. Zhdukja e të paktën 15 njerëzve është konfirmuar nga një kosovar, Argon Rama, i cili u arrestua në Hungari javën e kaluar. Ai deklaroi se ka mbijetuar pasi varka që i transportonte njerëzit është mbytur. Rama tha se bashkë me të në varkë ishin 18 apo 19 njerëz të tjerë. Ndërsa varka kishte filluar të mbytej, ai ishte përpjekur të shpëtonte  familjen, por kishte arritur të shpëtonte vetëm dy fëmijët e tij dhe jo gruan. Deklaratat mbeten vetëm të tijat. Policia hungareze thotë se nuk ka asnjë detaj për të konfirmuar vërtetësinë e këtij varianti, pasi nuk ka gjetur as shenja që të mund të tregojnë se ka një mjet të mbytur lundrimi. I vetmi trup i gjetur në ato ditë ishte ai i një 30-vjeçareje. Informacioni për viktima kosovare (15) mbetet për t’u konfirmuar nga EULEX-i dhe policia e Kosovës. Deri tani ata kanë konfirmuar se dinë vetëm atë që ka shprehur kosovari i arrestuar në Hungari. Sipas mediave, zëdhënësja e qeverisë së Kosovës, Albana Beqiri, tha se janë kontaktuar disa qytetarë të Kosovës “që besohet se janë anëtarë të familjes të atyre që mund të kenë vdekur në tragjedi”. Hungaria deri tani nuk ka konfirmuar të dhëna të reja nga tragjedia. Zëdhënësi i policisë hungareze, Çongrada Janosh Pal, citohet të ketë thënë se më 15 tetor, në afërsi të kufirit, është gjetur një burrë dhe dy fëmijët e tij. Edhe policia kufitare serbe po kërkon në anën e saj të lumit për viktima, por ende asgjë. Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës nuk ka konfirmuar zyrtarisht vdekjen e asnjë kosovari në lumin Tisa në Hungari.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›