E Shtunë, 31 Tetor 2026

OSBE: Opozita në Kuvend, rol në proceset integruese

 

ADI SHKEMBI

OSBE i bën thirrje opozitës të kthehet në Kuvend për të votuar reformat për integrimin, si dhe për të mbyllur ciklin e zgjedhjeve ‘jo dhe aq të mira’. Pak javë pas publikimit të raportit të ODIHR-it për zgjedhjet e 28 qershorit, Kreu i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadori Robert Bosch, mbajti dje në Vjenë raportin vjetor përpara Këshillit të Përhershëm të Misionit. Në materialin prej 12 faqesh analizohet situata parazgjedhore deri në momentin e nxjerrjes së rezultateve nga KQZ dhe reformat kryesore në vend gjatë vitit të fundit.
Bojkoti i PS
Misioni i OSBE shkruan në raport se vendimi i PS-së për të bojkotuar Parlamentin deri në plotësimin e kërkesave të saj u kundërshtua nga krerët e shtetit si dhe faktori ndërkombëtar. “Në përgjigje të bojkotit, Presidenti i Republikës, Kryetarja e Kuvendit, zyrtarë të shumtë të qeverisë, një varg figurash brenda PS-së dhe shumë aktorë ndërkombëtarë (përfshirë këtu edhe Prezencën), si në Tiranë, ashtu edhe në kryeqytetet përkatëse, kanë theksuar, në mënyrë të përsëritur, faktin se PS-ja ka përgjegjësinë për t’u kthyer në Kuvend dhe për të luajtur rolin e saj kushtetues si “opozitë konstruktive”, aq më tepër kur ka një sërë reformash të rëndësishme të procesit të integrimit që presin të miratohen”, thuhet në raport. Në të njëjtën kohë, në një paragraf tjetër në fund në dokumentit, ambasadori Robert Bosch vlerësoi se forcat politike duhet të kenë vullnetin për të mbajtur zgjedhje sipas standardeve, teksa shtoi se opozita duhet të luaj një rol konstruktiv në këtë drejtim. “Partive politike u duhet ende një vullnet më i madh politik për të garantuar mbajtjen e zgjedhjeve sipas standardeve ndërkombëtare. Megjithëse kjo do të thotë një rol të rëndësishëm dhe pozitiv për qeverinë, ajo nënkupton, gjithashtu, se edhe opozita duhet të luajë një rol konstruktiv. Pa të, sfidat e vërejtura në qershor do të vazhdojnë, së bashku me ciklin e zgjedhjeve “jo edhe aq të mira”. Klasës politike i duhet të garantojë tashmë mbylljen përfundimisht të këtij cikli”, theksoi ambasadori i OSBE.
Zgjedhjet
Procesi zgjedhor i 28 qershorit vlerësohet se përmbushi shumicën e shumicën e angazhimeve ndaj OSBE-së dhe shënoi progres të prekshëm për sa i përket regjistrimit të votuesve dhe procesit të identifikimit, kuadrit ligjor të miratuar në mënyrë konsensuale nga dy partitë kryesore në vend, për sa i përket votimit, numërimit dhe gjykimit të konflikteve zgjedhore. Por nga ana tjetër thuhet se u vërejtën mangësi lidhur me numërimin e votave. Misioni rrëzoi pretendimet e PS-së përsa i përket pasaktësive të mëdha në listat e votimit dhe akuzave të saj se PD po ndërhyn në procesin e shpërndarjes së kartave të identitetit. Raporti vlerëson gjithashtu punën e KQZ-së, e cila, sipas tij, administroi përgatitjet zgjedhore me profesionalizëm, por shton se debatet në këtë institucion shpesh ndaheshin sipas linjave partiake. “Për arritjen e një konsensusi sa më të gjerë politik në këtë proces (përbërjen e komisioneve zgjedhore), në qoftë se zgjidhet të ruhet struktura e tanishme partiake e KQZ-së përkundrejt një sistemi tërësisht të depolitizuar, mund të merret në konsideratë zgjerimi i përbërjes së komisioneve zgjedhore”, propozon misioni. Në të njëjtën kohë OSBE tha se ishin të bazuara akuzat e PS-së se PD-ja përdori veprimtaritë shtetërore dhe administratën publike për fushatën e saj elektorale, si dhe shqetësimin e PBDNJ-së se disa zyrtarë të saj u hoqën nga puna pasi kjo forcë doli nga koalicioni me PD-në. Në raport theksohet se megjithëse pretendimet e PS-së, se disa të burgosurve iu dha liridalje e posaçme në mënyrë selektive, ishin shpesh të bazuara, Prezenca nuk qe në gjendje të vërtetonte se këta njerëz u përfshinë në fushatën zgjedhore të PD-së. Ndërsa seancat e Kolegjit Zgjedhor vlerësohet se u mbajtën përgjithësisht në mënyrë profesionale, por shtohet se vendimmarrja u duk disi e nxituar.
Numërimi i votave
Raporti i misionit të OSBE-së, thekson faktin se megjithëse nuk pati prova të qarta të manipulimit të rezultateve në shkallë të gjerë, fillimisht, në disa zona, fletët e votimit të kutive të caktuara, identiteti i të cilave ishte përcaktuar qartë, ose nuk u numëruan, ose rezultatet e nxjerra prej numërimit të tyre nuk u hodhën fare në tabelën përfundimtare të rezultateve. Lidhur me këtë problem ambasadori Robert Bosch propozoi që “për shmangien e problemeve të kësaj natyre në të ardhmen, vlen të merret në konsideratë fshehja e shenjave identifikuese të të gjitha kutive të fletëve të votimit ose hedhja e shortit për radhën e numërimit të tyre”. Lidhur me mënyrën e përllogaritjes së mandateve të koalicioneve dhe partive përmes dy formulave, propozohet që të rishikohet edhe njëherë kjo skemë, për të bërë të mundur që të gjitha votat të kenë të njëjtën vlerë.
Reformat
Misioni i OSBE-së bën një vlerësim të përgjithshëm edhe për reformat kryesore në vend gjatë këtij viti. Përsa i përket reformës në gjyqësor, theksohet se ajo nuk ka përfunduar akoma. Raporti vlerëson se procedurat gjyqësore mbeten të ngadalta, transparenca e plotë shpeshherë mungon dhe shumë çështje të rëndësishme mbeten ende për t’u trajtuar më fuqishëm, si, për shembull, korrupsioni në sistemin gjyqësor. Duke komentuar ndryshimet në ligjin për Prokurorinë, OSBE thekson se Prokuroria mund të bjerë nën autoritetin e Kuvendit, duke e dobësuar kështu ndarjen kushtetuese të pushteteve. “Korrupsioni mbetet problem serioz, sidomos në sistemin gjyqësor, shëndetësor dhe atë arsimor. Sfidues vazhdon ende të mbetet zbatimi efektiv i legjislacionit kundër korrupsionit dhe një bashkërendim më i mirë nevojitet ndërmjet institucioneve publike përgjegjëse për këtë çështje”, thuhet më tej në raport.

pikat kryesore te raportit

Konstatimet

    Zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 28 qershor 2009 “përmbushën shumicën e angazhimeve ndaj OSBE-së” dhe “shënuan një progres të prekshëm për sa i përket regjistrimit të votuesve dhe procesit të identifikimit.
    U vërejtën disa mangësi në lidhje me procesin e politizuar të numërimit të votave, gjë që bëri që zgjedhjet, të mos e realizonin plotësisht “potencialin e Shqipërisë për t’iu përmbajtur standardeve më të larta për zgjedhje demokratike”.
    Përgjithësisht, KQZ i administroi përgatitjet zgjedhore me profesionalizëm dhe përgjithësisht brenda afateve ligjore, po të kihet parasysh fillimi me vonesë i tyre. Me gjithë përpjekjet e bëra për të punuar në mënyrë gjithëpërfshirëse, debatet brenda KQZ-së shpesh ndaheshin sipas linjave partiake.
    Ndonëse seancat e Kolegjit Elektoral, në vetvete, u mbajtën përgjithësisht në mënyrë profesionale, vendimmarrja u duk disi e nxituar.
    Megjithëse nuk pati prova të qarta të manipulimit të rezultateve në shkallë të gjerë, fillimisht, në disa zona, fletët e votimit të kutive të caktuara, identiteti i të cilave ishte përcaktuar qartë, ose nuk u numëruan, ose rezultatet e nxjerra prej numërimit të tyre nuk u hodhën fare në tabelën përfundimtare të rezultateve.
    Procesi i reformës gjyqësore nuk ka përfunduar ende. Procedurat gjyqësore mbeten të ngadalta, transparenca e plotë shpeshherë mungon dhe shumë çështje të rëndësishme mbeten ende për t’u trajtuar më fuqishëm, si, për shembull, korrupsioni në sistemin gjyqësor.

Rekomandimet

    Për arritjen e një konsensusi sa më të gjerë politik në këtë proces (përbërjen e komisioneve zgjedhore), në qoftë se zgjidhet të ruhet struktura e tanishme partiake e KQZ-së përkundrejt një sistemi tërësisht të depolitizuar, mund të merret në konsideratë zgjerimi i përbërjes së komisioneve zgjedhore.
    Dy formulat për llogaritjen e mandateve elektorale rezultuan të pafavorshme për partitë e vogla jashtë koalicioneve. Duke pasur parasysh se të gjitha votat duhet të kenë të njëjtën vlerë, duhet parë mënyra e shpërndarjes së mandateve.
    Për shmangien e problemeve të kësaj natyre (identifikimit të mënyrës si është votuar në zona të caktuara) në të ardhmen, vlen të merret në konsideratë fshehja e shenjave identifikuese të të gjitha kutive të fletëve të votimit ose hedhja e shortit për radhën e numërimit të tyre.
    Duhet që përpara miratimit të një ligji të rëndësishëm, Qeveria të nxitet që të bëjë konsultime më të gjera me palët më të prekura nga ligji në fjalë.
    Partive politike u duhet ende një vullnet më i madh politik për të garantuar mbajtjen e zgjedhjeve sipas standardeve ndërkombëtare. Megjithëse kjo do të thotë një rol të rëndësishëm dhe pozitiv për qeverinë, ajo nënkupton, gjithashtu, se edhe opozita duhet të luajë një rol konstruktiv. Pa të, sfidat e vërejtura në qershor do të vazhdojnë, së bashku me ciklin e zgjedhjeve “jo edhe aq të mira”. Klasës politike i duhet të garantojë tashmë mbylljen përfundimisht të këtij cikli.

Raporti i Ambasadorit: Në protestë kishte 3-7 mijë vetë
Çudia e OSBE, numëron qytetarët në mitingun e PS

Pjesë e raportit të paraqitur nga ambasadori Robert Bosch përpara Këshillit të Përhershëm të Misionit ishte edhe mitingu i parë i PS-së, i mbajtur në Tiranë më 10 tetor. Por ajo që ka çuditur ka qenë pikërisht shifra e ofruar nga OSBE për qytetarët që kanë marrë pjesë në protestë. Sipas saj, thirrjes së PS-së i janë përgjigjur tre deri në 7 mijë vetë. “Qëndrimi i PS-së u duk se u ashpërsua edhe më tej me një varg protestash publike. Protesta e parë u mbajt më 10 tetor 2009, përpara Kryeministrisë, me pjesëmarrjen e tre deri në shtatë mijë mbështetësve. Në mbyllje të periudhës së raportimit, Kryetari Rama ka deklaruar publikisht se do t’i propozojë Asamblesë Kombëtare të PS-së bojkotimin e zgjedhjeve të pjesshme vendore në pesë njësi të qeverisjes vendore, të parashikuara për t’u mbajtur më 15 nëntor 2009", thuhet në raport. Nxjerrja e shifrave të tilla me diferencë kaq të madhe lë të kuptohet edhe ambiguitetin e raporteve të misionit për vendin tonë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›