Inter-Murinjo, “divorc” i sigurt: Në Itali s’më duan
Murinjo me shumë gjasa do të largohet nga Interi pas finales së Kupës së Kampioneve. Në një konferencë për shtyp dhënë ditën e djeshme, portugezi ka folur edhe për të ardhmen e tij, duke sqaruar arsyet se përse kërkon të largohet nga Italia. “Nuk ka të bëjë as me kontratën time dhe as me paratë, madje më vjen pak turp që fitoj kaq shumë në këtë kohë krize, - ka thënë ai. – Problemi është personal, pasi në Itali nuk ndjehem i respektuar dhe gjatë këtyre dy viteve kam pasur probleme të shumta”. Ai tha gjithashtu se, pas finales së Madridit do të marrë 3 ditë kohë për t’u menduar dhe pastaj do të bëjë të ditur vendimin e tij. “Rezultati i finales nuk do të ndikojë aspak në të ardhmen time”, tha Murinjo. Ai foli edhe për ish-mësuesin e tij, Luis Van Gal, i cili e ka kritikuar për sjelljen dhe për faktin se mendon vetëm të fitojë dhe aspak për lojën e bukur. “Van Gal ka thënë se e shqetëson arbitri, por mua më shqetëson vetëm vullkani, - tha Murinjo. – Pastaj, italianët e mbajnë mend si fitoi Bajerni me Fiorentinën, ndërsa anglezët nuk e kanë harruar të kuqen e marrë nga Rafael i Mançesterit. Van Gal thotë se jam trajner mbrojtës, por në Londër ndaj çelsit dhe në shtëpi me Barcelonën luajtëm vetëm në sulm. Në ndeshjen e kthimit në ‘Kamp Nou’ parkuam avionin para portës, por e bëmë këtë, sepse i kishim shkatërruar në shtëpi”, shtoi tekniku i Interit.