E Shtunë, 31 Tetor 2026

Me romët në Berat

Në Berat bie shi me gjyma. Tutje, në horizontin lindor, Tomori duket i egërsuar e me frymë të zënë nga një hordhi resh që nuk e lënë të shikojë se ç‘po ndodh poshtë. Një grumbull njerëzish janë mbledhur diku në qendër të qytetit. Eshtë data 22 tetor dhe ne kujtohemi se bash 65 vjet më parë, pikërisht këtu, komunistët ngritën qeverinë e tyre të parë. Kryeministër ishte vetë Enver Hoxha. Do të ishte qeverisja më jetëgjatë që mund të ketë ekzistuar ndonjëherë në Shqipëri, plot 48 vjet me radhë.
E lemë pas shpejt gjullurdinë e qytetit të madh dhe gjallërinë, që ka kapluar ata që kujtojnë ngjarje të vjetra, dhe bëjmë të dalim nga qyteti, për në drejtim të shtratit të Osumit. Për pak kohë shiu ka pushuar, por balta është shndërruar befas në sundimtaren e vërtetë të këtyre anëve. Ajo të ngjitet ngado, në këpucë, tenton të ngrihet drejt pantallonave, në duar, hera-herës arrin edhe deri në fytyrë, apo në aparatet tona. Shumë shpejt mësohemi me këtë gjë të lëngët të kafenjtë, njësoj si një çokollatë e shkrirë.
Pas stadiumit janë ndërtuar një sërë shtëpish të reja. Një burrë nxjerr një hundë të kuqe nga kangjellat e portës së tij të hekurt. "Përse po i bëni këto matjet?", na pyet me një pamje në fytyrë që luhatet mes kërshërisë, frikës, ndrojtjes… Me siguri na ka kujtuar nga ata punonjësit e policisë ndërtimorë që nganjëherë edhe zbatojnë ligjin. Dhe ligji hap edhe telashe. Nuk e kuptojmë fort mirë nëse trishtohet, apo qetësohet kur merr vesh që nuk jemi topografë. Me siguri i ka provuar të dyja ndjenjat së bashku. Është trishtuar, sepse nuk kishte se kë të kundërshtonte apo "të sqaronte" dhe është qetësuar sepse ndonjë telash i vogël, që mund t‘i dilte, tashmë është duke shkruar drejt Osumit duke u luhatur mbi rrugën e përbaltur.

"Unë i ziu e unë i shkreti"
Nuk kalojnë veçse pak minuta dhe ja ku takojmë romët e parë. Dy djem të rinj po ngasin një karrocë që hidhet pupthi mbi gropat e zgjeruara nga shirat e rrëmbyeshëm. Një kalë kockë e lëkurë, për nga pamja e jashtme, është çuditërisht i fortë. Djemtë brohorasin hareshëm dhe karroca e tyre u lëshon disa stërkala të mira balte disa grave që po shkojnë në tregun "e gabit". Duke ngarendur karroca e dy djemve ka hyrë në garë me një goxha "Benz", që ecën rëndë-rëndë mbi të njëjtën rrugë të qullur keqas. Gara mes të dy palëve fitohet nga karroca e tërhequr nga kali i dobët. Një nga dy djemtë mban veshur një xhup të kuq lëkure ku shkruhet "Racing". E pyesim se ku mund të gjejmë një të ngjashëm se mbase mund të jemi edhe ne ndonjë ditë kaq të shpejtë sa ai. "Edhe ca më tutje është tregu - na thotë në intimitet njësoj sikur të na kishte miq të vjetër - kini merak mos blini asgjëkundi tjetër, vetëm se te dengu i parë majtas. Atje kini plot si këto burazer, mall i mirë, pa hile dhe me çmim të lirë. Ashtu de…". Më vonë, kur të kalojmë përbri tregut të rrobave të përdorura, do të mësojmë se shitësi i dengut të parë majtas ishte "mopralli", vëllai i djaloshit që ia kaloi "Benz"-it me karrocën e tij.
Brenda pak minutash kemi mbërritur në lagjen e romëve. Një erë e athët tymi që shpërndahet ngado, leckat që sillen vërdallë nga era e Jugut mbi kallamat e gardheve, barakat, që duken edhe më të ulëta mbi peshën e reve, se ç‘të ngjallin një lloj trishtimi dhe harrese. Vetëm larg duken siluetat e pallateve të Beratit, por ai tani na duket aq i largët… Një grup burrash e djemsh nuk e kthejnë kokën fare kur ne mbërrijmë krejt afër tyre. Janë duke luajtur me letra dhe kjo, me sa duket, është puna kryesore për sot për shumë prej tyre. Më i ngeshmi prej tyre është Fredi, një djalë 12-vjeçar. Ai merr përsipër të na shoqërojë nëpër lagje. Ndërsa ecim përmes rrugicave të improvizuara Fredi na flet për ëndrrën e tij. "Do të doja të isha bërë futbollist i mirë, kështu do të fitoja ndonjë lek dhe do të bëja një shtëpi. Një shtëpi të vërtetë, me mure tullash dhe me beton, jo si këto që shikoni këtu. Por e di që ëndrrat nuk realizohen. Më të mëdhenjtë më kanë thënë se fati ynë është caktuar qëkur. Ne me gomerët e kemi punën…". Pastaj Fredi hesht dhe ne rrimë e mendojmë se si mund të jetë një fëmijëri ku ëndrrat të këputen që në fillim në mes. Rreth nesh fluturojnë hareshëm lloj-lloj leckash shumëngjyrëshe. Shiu ka pushuar thuajse fare, por tani ka nisur të fryjë një erë e ngrohtë, bezdisëse që sjell me vete lloj-lloj duhmash të rënda.
Fredi na njeh me një plakë, të cilën e ka të vetën. Fatimja është 75 vjeç, i shoqi Petriti është 65. Ngrenë supet kur i pyesim se prej sa vetash përbëhet familja e tyre e madhe. Më në fund, pas një diskutimi të gjatë me të shoqin, përgjigjet Fatimja: "Bashkë me gjithë nipër e mbesa bëhemi aty te 30-40 vetët. Të gjithë janë të shpërndarë në këto barakat që shihni rreth e rrotull". Petriti, bashkë me njërin prej djemve, punon në një gurore aty afër. "Në krahasim me këta, që lypin apo mbledhin hekura, jemi më mirë kur ka punë. Ka pasur raste që kemi marrë edhe 1 mijë lek në muaj, porse puna është me kokë në torbë. Ka pasur shumë vdekje nga shpërthimet, apo nga rënia e dheut. Nisemi sot në mëngjes, por nuk e dimë nëse do të kthehemi gjallë në shtëpi në darkë. Sot, që ra shi, edhe u mërzita se nuk do të sjell ndonjë pare në shtëpi, por edhe u kënaqa pak. Të paktën sot nuk do të kem frikë për kokën time a të djalit".
Shtëpia e Petritit dhe Fatimes është ndër të paktat, mbase e vetmja, në grumbullin prej 16 shtëpish me afër 120 banorë, që është e ndërtuar me tulla. Ka vetëm dy dhoma dhe një korridor të ngushtë, por Fatimja krenohet me shtëpinë e saj që nuk e merr era dhe ku nuk hyn shiu. Dhoma e vogël e dy të moshuarve është mbushur sakaq plot. Kalamaj që sillen nëpër këmbë, djem të rinj që porosisin birra, nuse të reja që kërkojnë burrat dhe ne, të gjithë bashkohemi në një ngushticë ku nuk mungojnë një grumbull me tenxhere e tiganë, një stivë batanijesh e jorganësh dhe disa kukulla të mëdha, me shikim të ngrirë drejt askundit, që duken si të përhumbura në tërë këtë zallamahi. Dikujt prej djemve i shkon mendja të ndezë televizorin dhe festa ka nisur. Në fakt, fjala "festë" nuk është më e goditura për këtë gjendje. Nga ekrani një këngëtar, pasi ka përshëndetur me radhë, gjithë të ftuarit, njerëzit e tij të zemrës, çunat e kështu me radhë, ka nisur të këndojë një këngë të trishtë: Oh unë i ziu e unë i shkreti… "Ky është njësh", thotë njëri nga djemtë që po rri gjysmë brenda e gjysmë jashtë. "Eh - psherëtin Fatimja - mirë ne pleqtë, po këta që rrinë tërë ditën kot?".

"Dora juaj, dora jonë"
Një nga nuset, Laureta, e ngre zërin më lart se të gjithë, madje edhe më lart se këngëtari që vazhdon të përsërisë avazin "Oh, unë i ziu e unë i shkreti". Djemtë se ç‘flasin në gjuhën e tyre. Kuptohet qartë se ajo kërkon me insistim të thotë diçka, e cila ua prish ahengun meshkujve. Më në fund, nusja arrin të imponohet. "Do ta them se është e vërtetë dhe nuk po gënjej, posi - nis të thotë ajo ndërsa dikush ka fikur edhe televizorin - ju dukeni njerëz të mirë dhe rrofshi që keni ardhur të na shihni. Po ama ju të ‘dorës tuaj‘ keni plot gabime. Askush nuk na qas neve të ‘dorës tonë‘ për një punë si pastruese. Vemi nëpër zyra na shajnë dhe as nuk na qasin në derë. Lloj-lloj të sharash dëgjojmë përditë. Unë jam vetë e shtatë në shtëpi dhe i rris kalamajtë me të lypur. Ku nuk kam lypur, deri në Sarandë e Çorovodë. Kudo na shajnë e nganjëherë edhe na qëllojnë. Mirë që ndejta ca kohë në Greqi dhe arrita të bëj një dhomë. Atje jetojmë plot shtatë vetë. Nuk e ka mirë kështu ‘dora juaj‘! Nuku bën kështu! Nuku është mirë". Petriti, Fatimja dhe djemtë i kanë ngulur sytë mbi dysheme, njësoj sikur të duan të thonë se histori të tilla nuk duhen kujtuar teksa ishim duke dëgjuar muzikë. Një heshtje e thellë i ka lënë vendin muzikës dhe rrëmujës së mëparshme. "Përse nuk e shton një çikë pudrën Laureta, kështu do të dukesh si dora jonë", mundohet të bëjë shaka njëri prej nesh. "Eh, posi, posi me pudër", thotë Laureta, rrëmben një fëmijë në krahë dhe del me vrull nga dera. Shakaja pa kripë nuk ka funksionuar. "E vërtetë është - është kujtuar Petriti - para disa vjetësh neve na përzunë me forcë që këndej. Disa beratas të ‘dorës tuaj‘ donin që në këto anë të bënin ndërtime. Na kanë detyruar të shkojmë disa kohë në Skrapar. Vonë jemi kthyer kutu". Televizori ndizet sërish. Tani po këndon Fatmir Sula, këngëtar i njohur rom : "Oh, kno mi qyqeeee….

Çfarë mund të jetë një shtëpi?
E parë nga këndvështrimi i ‘dorës tonë‘ një shtëpi mund të jetë plot gjëra. Për disa nuk mund të jetë gjë tjetër veçse një vilë e madhe e rrethuar me pemë, por këta janë pak. Për më shumë të tjerë mund të jetë një apartament normal, me ujë e drita ku njeriu shkon një jetë të përkorë. Për më pak të tjerë mund të jetë një garsonierë. Për shumë e shumë të tjerë është një vend i mbuluar me rrasa apo me tjegulla ku duhet të futësh kokën dhe të rrisësh fëmijët dhe të mbash bagëtitë ngjitur.
Këtu, në anë të Osumit, koncepti "shtëpi" shndërrohet në një gjë tjetër. Sapo kemi dalë nga dy dhomat prej tulle të Petritit. Laureta, ajo protestuesja e mëparshme, tani është qetësuar. Një zjarr është ndezur në oborr dhe mbi një rrjetë teli janë vendosur copat e një gici të ekzekutuar që në "sabah". Era e mirë ka tërhequr, të rritur, fëmijë, qentë e uritur dhe rreth zjarrit është krijuar një grumbull i çuditshëm krijesash që i mbajnë sytë ngulur mbi atë grumbull të vogël mishi të bardhë. Mund të duket çudi, porse mishi i gicit, i hedhur mbi rrjetën e telit, është ndër gjërat e pakta të bardha që na kanë zënë sytë deri më tash.
Ne vazhdojmë shëtitjen tonë nëpër lagje. Këtë herë do të na shoqërojë Yzeiri, një djalosh 23-vjeçar, analfabet. Eshtë martuar kohët e fundit dhe e vetmja e ardhur është gruaja që lyp, që nga mëngjesi deri pasdite, rrugëve të Beratit. Tani nisim të kuptojmë se çdo të thotë shtëpi në këtë lagje. Më së pari kthejmë te motra e Yzeirit. Lida ka tre fëmijë, por barku i saj, i fryrë goxha, na bën me dije se së shpejti numri i picirrukëve, që i sillen ndër këmbë, do të rritet. "Kjo është shtëpia", thotë Yzeiri dhe ne përkulemi që të hyjmë në një ngrehinë të çuditshme të ndërtuar vetëm me dyer të shkulura, të cilat nuk kanë se si të mos rrinë keq me njëra-tjetrën. Dyshemeja është një tjetër koncept që duhet ta ndryshojmë. Këtu ajo nuk është gjë tjetër veçse një baltë e rrahur, që kthehet në llucë, sapo shiu të nisë të bjerë sërish. Dy si shtretër janë vendosur në dy kthinat e kasolles. "Motra me burrin dhe fëmijët flenë këtu, ndërsa në këtë anën tjetër fle kunati i saj me nusen dhe fëmijët e tij", thotë Yzeiri. Një perde prej doku i ndan të dy "dhomat" e kësaj kasolleje që këtu njerëzit, kush e di sepse i thonë ende me emrin përkëdhelës shtëpi. Gjatë vizitës në këtë ngrehinë të çuditshme e të trishtë nuk na është ndarë një fëmijë i vogël. Eshtë Shpëtimi. Ndryshe nga tërë kushërinjtë e tij të shumtë ai është krejt biond dhe me sy të çelët. "Përse e keni quajtur Shpëtim?", e pyesim të ëmën. "Si t‘ua them unë e shkreta - vihet në siklet ajo në fillim - kur lindi ky ishte fare i bardhë, si borë. Ne të gjithë atëherë menduam se kjo ishte shenjë nga Zoti që mbaruan hallet tona". Por edhe Shpëtimi, djali biond i romes, duket se do ta ketë të vështirë të shpëtojë njerëzit e tij nga jeta në kasollet ku era kutërbonjëse dhe balta janë zotërit e vërtetë.
Pak metra më tej është streha e Yzeirit. Këtu fantazia ka arritur kulme edhe më të larta. Yzeiri nuk hyn ndër të gjatët e lagjes. "Shtëpia" e tij është edhe më e ulët dhe, që të hysh në të, duhet të kesh të dhëna të mira gjimnastikore. Përkulja e fortë para është njëra ndër ato që të hyn më shumë në punë. Një samar dhe disa shtroje të rrjepura përbëjnë gjithë orenditë e çiftit të ri. Kur dalim jashtë "i zoti i shtëpisë" na tregon me krenari dy gica që dremisin të lidhur fort në anë të kasolles. "Kam edhe këta - na thotë si për të na thënë se nuk është nga ata që rri kot tërë ditën - do t‘i hamë për Vit të Ri".
Neve na duket se nuk ka më rëndësi të shohim "shtëpi" të tjera në këtë lagje. Të gjitha duket se janë njësoj. "Jo, jo - këmbëngul Yzeiri - kjo që do shohim tani është më e mirë". Dhe vërtet i zoti i kësaj kasolleje duket vërtet merakli për ndërtimet. Një suvatim i bërë nga një përzierje prej balte dhe kashte dhe një dorë gëlqere, pastaj një sobë e ndryshkur në mes të njërës prej dhomave, i japin pamje më dinjitoze kasolles që kemi përpara. Edhe kjo ka pashmangshmërisht dy dhoma. "Në njërën jetonte i zoti bashkë me gruan dhe fëmijët e tjerë, në tjetrën djali që porsa qe martuar - thotë Yzeiri që na beson një sekret të madh - por, a e dini se ç‘ndodhi? Djalit ia vodhën natën gruan kur ishte në gjumë". Në këto anë duhet të bësh kujdes. Gjumin duhet ta bësh me veshët ngrehur dhe me një sy hapur, përndryshe e pësove. Puna mund të shkojë deri atje sa mund të të vjedhin edhe gruan.
Jashtë, grumbulli i mbledhur rreth mishit të derrit nuk ka ndërmend të pakësohet. Ja ku kalon një plak hokatar i hipur mbi një triçikël. E kthen një birrë më vërtik dhe bën të vazhdojë tutje. Bagazhi i tij është i stërmbushur me hekura. Na thonë se ky është Fetahu. Qenka 70 vjeç, por hareja, që rrezaton, e bën të duket më i ri. Mbledhja e hekurave ishte një nga burimet kryesore të të ardhurave për romët deri para disa kohësh. Tani hekuri është pakësuar dhe çmimi prej 40 lekësh për kilogram nuk u intereson edhe më të varfërve. Fetahu e rrëkëllen shpejt e shpejt një birrë me shokët dhe bën të ndezë triçiklin, porse nga motori vjen vetëm një zhurmë e mbytur. Atëherë djemtë, e lenë zjarrin, nga vjen era e mirë e mishit të pjekur, dhe i japin një dorë. "O burra, se u ndez!", bërtet Fetahu që poshtë mustaqeve të tij të gjata.

Përse na hyjnë në punë shkronjat?
Entela, një nga mbesat e shumta të Petritit, duhej të ishte në klasën e tretë. Nuk ka bërë asnjë ditë shkollë. As nuk e di se ç‘janë germat dhe se përse hyjnë në punë ato. "Djali ynë, babai i saj nuk e lë të shkojë në shkollë - na thotë Fatimja, gjyshja - vajza ka nisur të bëhet shumë e bukur dhe këndej nga ne asnjëherë nuk i dihet, kupton?". Ne e kuptojmë fort mirë, megjithëse nuk jemi fare dakord. Analfabetizmi këtu është një gjë krejt normale. Edhe Fredi, shoqëruesi ynë i parë, është analfabet. "Në shkollë shkoj vetëm sa të marr ato ndihmat që na japin. Për gjë tjetër nuk më hyn fare në punë", na kishte thënë që në fillim.
Duke folur me fëmijët njohim Maradonën. Ky shkon në klasë të 6-të. Si e ndez një cigare nis të flasë si i madh. "Unë për vete di të lexoj - na thotë dhe nis të lexojë mbi paketën e cigareve - Pppiiirja e dduuuhaaanit dëëmton rëëëndë…". Maradona në anë të Osumit është një djalë fort i shkathët. Babai kujtoi se do të bëhej futbollist, njësoj si ai i madhi në Argjentinë, që vetëm me anë të një topi të rrumbullakët i shpëtoi varfërisë së getos. Por nuk paska qenë e thënë. Maradona ynë nuk e ka aspak qejf futbollin. "Më duket sikur më shkon koha kot - na thotë - më mirë dal të lyp andej nga Berati".

Si të shesim një gomar të vjetër për të ri
Maradona që tani është mjeshtër në shitjen e gomarëve. I merr të vjetër dhe i shet për të rinj. Ky është një profesion i vjetër i romëve anekënd Ballkanit, jo vetëm në këtë skutë të krijuar nga Osumi. "I hapim dhëmbët me kaçavidë - thotë eksperti i vogël i falsifikimit të gomarëve - pastaj blejmë në farmaci një ilaç që ia bën dhëmbët si të rinj, dhe më në fund i japim edhe një gjë që i bën të jenë të hedhur. Se ç‘është kjo ua them, por për këtë më duhen ca para, përndryshe është sekret. Kështu e blej një gomar aty te 20 mijë lekë (të vjetra) dhe e shes 40 mijë. Si të duket? Më mirë të luaj futboll apo si?". Neve na kujtohet një histori që ka ndodhur këtu e 30 vjet më parë. Një qytetar beratas e kishte mësuar gomarin e tij që, pasi ta ngarkonte me rërë në anë të lumit, të kthehej vetë në shtëpi, lart në qytet. Kjo punë vazhdoi disa kohë, derisa gomari, tashmë plak, nisi të verbohej. I zoti vendosi ta shiste dhe ishte pikërisht një rom që e bleu për pako gjë. Nuk shkuan shumë dhe beratasi u kthye te romët, kësaj here për të blerë e jo për të shitur. I vuri syrin një gomari qimendritur që nuk e mbante vendi nga dëshira për punë. Bleu pikërisht atë, duke paguar dyfishin e shumës së fituar nga shitja. Mirëpo u çudit ku vuri re se edhe gomari "i ri" e njihte rrugën e shtëpisë së tij po aq mirë sa edhe i vjetri. Atëherë e kuptoi se kishte blerë edhe një herë "plakun" e tij, tashmë të rinovuar. Këta ishin paraardhësit e Maradonës në anë të Osumit, mikut tonë të vogël.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›