E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shembet ndërtesa në mes të natës, policia nis hetimet

Shembet në mënyrë misterioze prona e një banori të lagjes "1 Maj" në qytetin e Fierit. Ngjarja ka ndodhur gjatë natës së premte duke aguar e shtuna. Të dëmtuarit kanë denoncuar në polici, ndërkohë që kjo e fundit ka nisur hetimet për rastin në fjalë, duke mos përjashtuar pistën e konfliktit të pronësisë. Burimet policore shprehen se ndërtesa nuk është shembur për arsye teknike, por në të kanë ndërhyrë me mjete të forta teknologjike.

Ngjarja në fjalë ka ndodhur në lagjen "1 Maj" të qytetit të Fierit, në rrugën "Jani Bakalli". Sipas burimeve nga vendi i ngjarjes mësohet se pronarët e saj, dy vëllezërit Osmani, e kanë konstatuar rrëzimin e ndërtesës mëngjesin e së shtunës. "Ju drejtuam si çdo mëngjes pronës tonë, e cila ndodhet vetëm 300 metra larg shtëpisë. U habitëm kur e pamë të shembur në tokë. Mbetëm të shtangur. Njoftuam policinë dhe denoncuam rastin në fjalë. Kemi dëgjuar vjedhje, grabitje, por jo shkatërrim të ndërtesës", mësohet të ketë thënë Perik Osmani për policinë. Ndërkohë, bashkëshortja e tij, në prani të policisë ka deponuar se ndërtesa ishte një objekt me sipërfaqe rreth 70 metra katrorë dhe ka funksionuar si farmaci bujqësore për më shumë se 6 vjet. Kontrata ishte shkëputur vetëm dy ditë më parë, ndërkohë që pronarët ishin në negociata me të tjerë qiradhënës. Pronarët Osmani dyshojnë se rrëzimi në sheh i ndërtesës është bërë me mjete të posaçme. Ndërkohë që burimet zyrtare të policisë së Fierit tregojnë për gazetën "Shqip" se po e hetojnë rastin në fjalë dhe tre persona dyshohen si autorë të mundshëm. "Objekti njëkatësh është rrëzuar si shkak i ndërhyrjes me mjete teknologjike. Kemi gjetur gjurmë dhe kemi faktuar këtë dyshim, pasi kemi gjetur edhe gjurmët e automjeteve në rrugën pranë. Kemi të bëjmë me dëmtim të qëllimshëm të pronës dhe po punojmë për të prangosur autorin", thonë për gazetën burimet zyrtare të sektorit të informacionit në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Fier.

Ma.Tr.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›