Aksident tek Uji i Ftohtë, dy të vdekur dhe tre të plagosur
Bie makina në themelet e një pallati që po ndërtohej, vdesin dy persona dhe plagosen tre të tjerë. Ky ka qenë bilanci tragjik i një aksidenti të rëndë rrugor, të ndodhur në orët e vona të mbrëmjes së djeshme në qytetin e Vlorës. Ngjarja rrugore ka ndodhur në zonën e Ujit të Ftohtë dhe sipas policisë lokale mësohet se një makinë, në të cilën udhëtonin pesë persona, të afërm me njëri-tjetrin, banorë të zonës, kanë rënë në themelet e një pallati që ndërtohej në buzë të rrugës. Të njëjtat burime saktësojnë se aksidenti ka ndodhur te vendi i quajtur Kalaja, kur një makinë tip "Opel" me targa VL 3538 B, teksa zbriste për në rrugë kryesore, nga errësira dhe mungesa e tabelës sinjalistike për punimet që po zhvilloheshin, ka rënë në themelet e pallatit. Për pasojë, Zenel Hasko, 74 vjeç dhe Evathi Hasko, 44 vjeç, kanë gjetur vdekjen e menjëhershme, ndërsa Juela Hasko, 46 vjeç, Edmond Hasko, 48 vjeç dhe Mateo Hasko, 8 vjeç, janë plagosur rëndë. Të lënduarit janë dërguar me urgjencë për në spitalin rajonal të Vlorës, ku i janë nënshtruar ndërhyrjes mjekësore. Në vendngjarje kanë shkuar menjëherë ekspertë të policisë rrugore, të cilët kanë nisur të hetojnë shkaqet e aksidentit, që dyshohet të ketë ndodhur nga terreni i rrëshqitshëm dhe mungesa e sinjalistikës paralajmëruese për punimet që po zhvilloheshin në buzë të rrugës.
Mi.Ma.
Mi.Ma.