E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ismaili President, sms-të e Edi Ramës për Helena Kadarenë

TIRANË- Del libri i shumëpritur me kujtime i Helena Kadaresë, botuar fillimisht në Francë vitin e shkuar. "Kohë e pamjaftueshme" vjen në shqip nga Botimet "Onufri" dhe është një thesar i vërtetë me fakte, dëshmi, letra, fotografi, dhe kujtime mbi personazhe, takime e biseda...

Ky libër rrëfen gjithë jetën e kaluar së bashku mes Helenës dhe Ismail Kadaresë që nga njohja e tyre e deri në ditët e sotme. Aty rrëfehen që nga çastet më intime familjare e deri tek çastet më dramatike për përballjet dyshimet, mbi përndjekjet e pushtetit e deri tek historitë e secilit roman që u botua, u kritikua apo mbeti në dorëshkrim sirtarëve.

Gazeta Shqiptare ka përzgjedhur sot dy fragmente kujtimesh, një të kohës së sotme, dhe një tjetër që lidhet me botimin e romanit të famshëm "Dimri i vetmisë së madhe" kur shkrimtarit iu desh të hulumtonte në dosjen sekrete të Moskës nën vëzhgimin e Nexhmije Hoxhës. Ndërsa një pjesë tejet interesante është rrëfimi mbi verën e vitit 2007 në prag të zgjedhjeve presidenciale, kohë kur Kadare ka refuzuar postin e presidentit. Aty Helena Kadare tregon përpjekjet e kreut të opozitës Edi Rama për të bindur Ismailin të merrte postin e presidentit në një moment të vështirë për shqiptarët. Ja cilat ishin mesazhet?

30 qershor, ora 18.43 min
E.Rama: Ky vend e ka pisk punën dhe sot i duhet një simbol që i bashkon gjithë shqiptarët, e para të cilit bota përkulet me respekt. Nqs B. dhe unë, dmth të dyja palët, do i kërkonim me përulje Ismailit të bëhej i pari i këtij vendi, a e sheh ti ndonjë shans?
30 qershor, ora 19.07 min
E.Rama: Kur më thua mund të flas me të ke ndjesinë që ka shans apo thjesht që un ta dëgjoj nga goja e tij Jo-në?!
6 korrik, ora 12.55 min
E.Rama: A ka pak shpresë? Jemi të gjitha palët gati t'i lutemi. Do të ishte hera e parë dhe e fundit që presidentit të Shqipërisë do t'i ngrihej gjithë Europa në këmbë! I takon atij të hapi kapitullin e bashkimit të Shqipërisë! Më thuaj.
6 korrik, ora 17.47 min
E.Rama: Zemër më thuaj nëse muuund të ndodhë mrekullia...
6 korrik, ora 18.02 min
E.Rama: Un e kuptoj shumë mirë po jam i dëshpëruar se ai mund të hapi një portë që askush se hap dot për ktë komb në ktë orë dhe më duhet të pranoj se ajo portë do të mbetet e mbyllur ndërkohë që aty ku duhet të ulet ai, një djall e di kush ulet me kurriz nga porta! Më fal zemër!
6 korrik, mbrëmje
E.Rama: A mund të vij tek ju nesër më ora 9.30.
7 korrik, mëngjes
E.Rama: Un të jam thellësisht mirënjohës dhe Ismailin e kuptoj njësoj si veten!
(m.a/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›