E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi dekoron Pjetër Arbnorin me urdhrin “Nderi i Kombit”

TIRANE- Presidenti Bamir Topi dekoroi sot në ambientet e Presidencës, në një ceremoni të veçantë e solemne, të dënuarin nga diktatura, politikanin dhe parlamentarin, shkrimtarin dhe publicistin e shquar shkodran, Pjetër Arbnori (pas vdekjes), me urdhrin “Nderi i Kombit”. Në këtë ceremoni morën pjesë drejtues të institucioneve të të përndjekurve, politikanë, shkrimtarë, artistë, familjarë e miq të shumtë, si dhe anëtarë të Kabinetit të Presidentit.

Urdhri i lartë “Nderi i Kombit”, iu dorëzua vajzës së tij Gjystina dhe mbante motivacionin: “Personalitetit të shquar të Shkodrës dhe të gjithë Shqipërisë, simbolit të sakrificave mbinjerëzore nën persekutimin komunist, politikanit paqësor dhe shkrimtarit të talentuar, intelektualit vizionar e qytetarit fisnik, që gjithë jetën dhe veprimtarinë e tij ia kushtoi idealeve të mëdha të demokracisë, shtetit të së drejtës dhe të përparimit kombëtar”.

Gjatë fjalës së tij përshëndetëse kreu i shtetit Topi tha se askush si Arbnori nuk ia doli t’i mbijetojë terrorit dhe persekutimit komunist, ndërsa shtoi se asnjë disident që ka hyrë në politikë nuk ka të krahasuar me “Mandelën e Shqipërisë”.

“Në kujtesën tonë të përbashkët, me sakrificat e jashtëzakonshme dhe veprën e tij, Pjetër Arbnori mbetet një simbol qëndrese dhe humanizmi, një politikan e intelektual me horizont të gjerë dhe urtësi shembullore, një burim frymëzimi për sjellje qytetare dhe mendimin e lirë. Jeta e tij u përshkrua nga drama dhe sakrifica të panumërta. Në moshën 26-vjeçare, ai pati vizionin për të hedhur në letër piketat e një programi politik modern. Bindjet e tij politike, talenti në krijimtari dhe guximi për të kundërshtuar parimet staliniste të regjimit, i morën Pjetrit 28 vjet nga jeta e tij, duke e shndërruar kështu në “Mandelën e Shqipërisë”. Burgjet, vuajtjet dhe dhimbjet e Pjetër Arbnorit janë burgjet, vuajtjet dhe dhimbjet e Shqipërisë. Askush tjetër nuk ia doli si ai, t’i mbijetojë terrorit dhe persekutimit, të ruajë të paprekur energjitë dhe forcën e shpirtit, të kultivojë brenda vetes aq shumë kulturë dhe humanizëm, dhe së fundi, të na dhurojë aq shumë dëshmi autentike mbi atë të kaluar tragjike. Në vendet ish-komuniste, shumë disidentë hynë në politikë, por asnjë rast tjetër nuk u krahasua me rastin Arbnori, i cili pas mëse tre dekadash në burgje ia doli të zgjidhet dhe të ushtrojë me sukses historik detyrën e lartë të Kryetarit të Parlamentit demokratik", tha Presidenti.

Gjatë ceremonisë së dorëzimit të këtij urdhri të lartë, vajza e Pjetër Arbnorit është shprehur “Emri i babait është një përgjegjësi shumë e madhe për ne, një detyrim për të vazhduar rrugën dhe filozofinë e tij. Ky vlerësim që i jepet sot babait, i shkon natyrisht dhe mamasë sonë, që ka ndarë me të çdo moment të bukur dhe të vështirë në karrierën e tij, si politikan dhe shkrimtar, deri në momentet e fundit, por dhe të gjithë shokëve, miqve dhe dashamirësve të familjes sonë, që kontribuojnë duke mbajtur gjallë emrin e tij. Ata janë vërtet të shumtë në numër dhe në emër të të gjithëve, unë Ju them dhe njëherë: Faleminderit për këtë dekoratë!”

(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›