Isopolifonia, kur ministria harron vlerat kombëtare
Duhet shumë punë. Jo thjesht për të bërë diçka të zakonshme, por për të ruajtur atë pasuri kombëtare që shumë lehtë mund të zhduket, edhe pse e cilësuar si e mbrojtur nga UNESCO. Istref Dobi, drejtor i Qendrës Kulturore Vlorë dhe Festivalit Folklorik Kombëtar të Isopolifonisë, ngre shqetësimin për rrezikun e humbjes së vlerave të Isopolifonisë, ndërsa në një intervistë për Shekulli-n tregon edhe zhgënjimin nga Ministria e Kulturës, e cila është e para që duhet të kontribuojë për mbrojtjen e saj.
Vlora tashmë njihet si një nga stacionet ku shtrohet herë pas here sofra e isopolifonisë. Si lindi ideja, çfarë synon sjellja e tij vit pas viti këtu?
Që prej 10 vitesh Vlora është kthyer jo vetëm në një stacion të shumëzërëshit, por edhe një bazë e shëndoshë për të nxjerrë e katapultuar grupe e elementë të rinj të cilët merren me këtë zhanër folklorik. Që në fillimet e këtij festivali në vitin 2001, synimi ynë kryesor ka qenë ruajtja dhe transmetimi në brezat e rinj i kësaj vlere të paçmuar që na vjen nga shekujt, që për të qenë të sinqertë në vitin 1990 deri në fillim të viteve 2000 pati një stanjacion pak të frikshëm, pasi një pjesë e mirë e grupeve filluan ti largohen skenës dhe ti drejtohen studiove. Dihet që në rastet më të shumta drejtuesit e këtyre studiove nuk ishin specialistë dhe njohës të folklorit e aq më tepër të shumëzërëshit. Një pjesë e madhe e regjistrimeve të asaj periudhe ishte me mangësi të mëdha të vijës melodike, dalë nga shtrati i traditës, i teksteve herë-herë të pavlera si dhe cilësia e regjistrimit e transmetimit linte shumë për të dëshiruar. Kështu që me një grup muzikantësh e specialistësh folklori, menduam që të nisim një festival të tillë duke i tërhequr këto grupe nga studiot në skenë. Festivali i parë është zhvilluar në maj të vitit 2001 tek Sheshi i Flamurit. Ndonëse një festival modest, sot së bashku me Odën Dibrane që organizohet nga Qendra Kulturore e Peshkopisë është festivali më jetëgjatë në vendin tonë ku gjatë viteve janë ngjitur në skenë rreth 300 grupe të iso-polifonisë labe e toske dhe ka qenë bazë për të dy festivalet e Gjirokastrës, si atë të 2004-s, po ashtu edhe të 2009-s.
Njihet një trend hyrës i rrymave moderne drejt folkut. A ka ndodhur me isopolifoninë kjo?
Çështë e vërteta, duke u mbështetur në modelet e shumëzërëshit lab, sot një pjesë e mirë e kompozitorëve kanë shkruar e përpunuar shumë nga këngët më të mira të këtij zhanri. Sfidat e para janë dhënë që në vitet 50, kur Artisti i njohur vlonjat Themistokli Mone filloi përpunimin e disa prej tyre dhe ka sjellë në këngën qytetare vlonjate vlera që i kanë rezistuar dhe do ti rezistojnë kohës. Po kështu mund të përmendim edhe Reshat Osmanin, Haxhi Dalipin e ndonjë tjetër. Pas viteve 90, me ndërhyrjet e shumta e sidomos me lirinë e krijimtarisë, disa nga vlerat e shumëzërëshit lab u deformuan. Qoftë tek shumëzërëshi folklorik e qoftë tek ai i shoqëruar me instrumente, pati deformime të shumta që çështë e vërteta, festivali ynë është munduar ti korrigjojë. Sot nga përpunimet e shumëzërëshit lab, kompozitorë si Adi Hila, Edi Balili etj, kanë realizuar këngë shumë të arrira të kënduara me mjeshtëri nga këngëtare të reja dhe me përvojë, si: Aurela Gaçe, Mariola Kaçani, Rovena Ibrahimaj, Poni, Silva Gunbardhi e ndonjë tjetër. Shikoj me kënaqësi që përpunimet me bazë të shumëzërëshit lab, janë nga më të spikaturat në tregun e sotëm muzikor shqiptar dhe e them me krenari që kënga qytetare vlonjate është sot nga meloditë me më pak ndërhyrje në të gjithë muzikën shqiptare, kjo e përmendur edhe nga kompozitori i mirënjohur Agim Krajka, i cili në një emision televiziv e përmendi me fjalët u lumtë vlonjatëve.
Me çfarë sfidash përballet sot isopolifonia?
Siç po e vini re, në çdo rast unë nuk e kam përmendur fjalën iso-polifoni apo polifoni. Që këtu fillon sfida e parë e shumëzërëshit lab e tosk, që tek emërtimi. Sfidat e tjera janë të shumta duke filluar që nga mungesa e rapsodëve e deri tek mungesa e kostumeve popullore të zonës. Pikërisht në këtë pikë duhet të vërë dorë shteti. Vërtet ka një Bashki të Vlorës që financon në mënyrë modeste këtë festival, ka edhe disa specialistë në Vlorë dhe në Qendrën Kulturore të saj, por, a mjaftojnë këta për ta ruajtur e përcjellë në breza këtë vlerë të paçmuar, këtë arkeologji të gjallë? A duhet të punojmë të gjithë që të nxisim përveç grupeve, marrësve e bartësve të këtij zhanri edhe rapsodët e rinj? A e dimë se rapsodët më të mirë të Vlorës duke nisur nga i madhi Lefter Çipa, Feti Brahimaj, Muhamet Tartari, Nexhip Seraj, Pelivan Barjami e shumë të tjerë janë të moshës mbi të 60-at? Kush do të shkruajë dhe hulumtojë për këto grupe të shumëzërëshit pas 10 e 15 vitesh? Pra, këto e shumë të tjera, që nga mungesa e vendit të provave, mungesa e buxheteve, harresa nga Bashkitë e sidomos nga komunat, vendi ku më së miri mund të këndohet e hulumtohet shumëzërëshi, largimi i bartësve të këtij zhanri nga fshatrat në qytete etj. janë sfida të vështira me të cilat haset shumëzërëshi tosk e lab.
Në një konferencë të fundit mediatike ju u shprehët se ka probleme për zhvillimin e aktiviteteve të tilla. Ku konsistojnë ato?
Jo vetëm në këtë lloj aktivitetesh, por në të gjitha aktivitetet kulturore e artistike ka probleme. Por duke u përqendruar tek ky aktivitet: nuk mund të realizohet ashtu siç duhet një aktivitet kulturor vetëm me mbështetjen e Bashkisë apo ndonjë donatori, financime të tilla për hir të së vërtetës janë shumë modeste. MTKRS-ja në 10 festivale të zhvilluara ka financuar vetëm në dy, në 2-3 shuma të papërfillshme dhe në vitet e fundit absolutisht asnjë gjë. Nuk mendoj që Ministria duhet patjetër të ideojë, projektojë e realizojë çdo event kulturor. Nga përvoja botërore, këto aktivitete zhvillohen nga Qendra Kulturore të bashkive apo private. Kemi aplikuar gjatë këtyre viteve në MTKRS dhe nga 2008-a nuk na është aprovuar asnjë projekt, qoftë për Festivalin e Shumëzërëshit, por edhe për Festivalin Folklorik Mesdhetar, bile në vitin 2010, pasi na ishte premtuar një shifër prej 1 milion lekësh ne në të gjitha mesazhet promocionale e vendosëm MTKRS-në si sponsor të festivalit. Festivali përveç Vlorës, shëtiti edhe në Sarandë e Fier dhe përsëri nuk u pa e mundur nga drejtuesit e kësaj ministrie financimi i këtyre aktiviteteve. Pra, me një bashkëpunim më të mirë midis MTKRS-së dhe Bashkive e komunave që përpiqen me të gjitha mënyrat që jo vetëm të gjallërojnë jetën kulturore e artistike të qyteteve e zonave të ndryshme, por edhe duke ruajtur me xhelozi vlerat folklorike, duke mos parë që kjo bashki a komunë është e majtë a e djathtë, duke parë me përparësi vlerat e çdo projekti që paraqitet në drejtorinë e trashëgimisë shpirtërore them se mund të lëvizim dicka për mirë.
Iso-polifonia popullore shqiptare futet në listën e Kryeveprave të trashëgimisë gojore të njerëzimit mbrojtur nga UNESCO. Aktualisht, a e ka vëmendjen e duhur këtu në vendin e saj për të mbartur një status të tillë?
Së pari, duhen falënderuar ata që bënë të mundur përgatitjen e dosjes dhe realizimin e këtij projekti të madh, akademikun Vasil Tole e të tjerët, gjë që bën të mundur dhe garanton jo vetëm mbrojtjen, por edhe propagandimin dhe vazhdimësinë e kësaj vlere të paçmuar të popullit tonë. Nga dita e shpalljes kanë kaluar 6 vite. Të them të drejtën duke u marrë çdo vit me Festivalin e Iso-Polifonisë kisha menduar se do të bëhej më tepër. Kam qenë ndër ata që kam propozuar që në vitin 2005 që të krijohej Rrjeti Kombëtar i Shoqatave
