Gjermania: Serbia që të pranojë realitetin në Kosovë

Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj ka pritur të enjten në takim ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Ernst Reichel, nga i cili është njoftuar lidhur me qëndrimin e Qeverisë gjermane për zhvillimet në veri të Kosovës.
“Kancelarja Merkel të mërkurën në Beograd ka kërkuar nga Qeveria e Serbisë që ta pranojë realitetin në Kosovë dhe të heq dorë nga strukturat paralele në veri dhe që të mundësojë shtrirjen e aktivitetit të EULEX-it në tërë territorin e Kosovës”, ka thënë ambasadori Reichel, duke informuar ministrin Hoxhaj për qëndrimin zyrtar të Qeverisë gjermane.
Sipas ambasadorit Reichel, qëndrimi gjerman lidhur me veriun e Kosovës, i thënë edhe nga kancelarja Merkel në Beograd do të jetë i vazhdueshëm, deri në arritjen e synimeve për tërheqjen e strukturave paralele në veri të Kosovës dhe shtrirjen e aktiviteteve të EULEX-it.
Sipas tij, shteti gjerman kërkon nga Qeveria e Kosovës që të jetë e përkushtuar në dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë në gjetjen e zgjidhjeve që do të përmirësojnë jetën e qytetarëve.
Nga ana tjetër, ministri i Hoxhaj ka falënderuar ambasadorin Reichel për qëndrimin e fuqishëm gjerman dhe ka siguruar atë që Qeveria e Kosovës do të jetë e përkushtuar në sundimin e ligjit në tërë territorin e Kosovës.
“Gjermania gjithmonë ka pas qëndrime konsistente për paqen dhe stabilitetin në Kosovë dhe rajon. Qëndrimet e kancelares Merkel dhe shtetit gjerman janë po ato të popullit dhe shtetit të Kosovës. Shpërbërja e strukturave ilegale paralele në veri të Kosovës do të mundësojë paqe dhe bashkëjetesë. Prandaj, stabilizimi i gjendjes në veri, duhet të bëhet përmes implementimit të Pakos së Ahtisarit dhe Kushtetutës së Kosovës”, ka thënë Hoxhaj.
Ai ka shtuar se në asnjë vend të Evropës, nuk ka shtete që mundohen të kontrollojnë territore të shteteve tjera.
“Prandaj mesazhi i shtetit gjerman është i qartë, që kjo praktikë duhet të përfundojë”, ka thënë Hoxhaj.