E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkojmë në gjykatë, nëse na thërrasin

Nga Express më 25 gusht 2011 në ora 16:57

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka thënë se të gjithë qytetarët e vendit duhet të bashkëpunojnë me organet e drejtësisë dhe ka lënë të nënkuptohet se nëse kërkohet nga gjyqësori edhe kryeministri Hashim Thaçi mund të dëshmojë në rastin e Fatmir Limajt.

Derisa po zhvillohen procese të shumta gjyqësore ndaj ish- drejtuesve dhe pjesëtarëve të UÇK-së, numri dy i Qeverisë, Hajredin Kuçi vlerësoi të enjten pas mbledhje së kabinetit qeveritar se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë e drejtë dhe është zhvilluar sipas normave ndërkombëtare dhe zakoneve të luftës.

Kuçi nuk e ka komentuar direkt deklaratën e deputetit Fatmir Limaj se nëse ngritët aktakuzë ndaj tij do të jenë për dëshmitarë gjithë drejtuesit e Shtabit të UÇK-së dhe kryeministri aktual Hashim Thaçi. Por zëvendëskryeministri Kuçi ka lënë të nënkuptohet se edhe kryeministri Thaçi është i gatshëm që të dëshmojë në rastin Limaj, nëse një gjë e tillë i kërkohet nga gjykata.

“Secili vendim i institucioneve të pavarura në këtë rast i gjyqësorit duhet të respektohet nga çdo qytetar i Republikës së Kosovës”, ka thënë ai.

Kuçi shprehu besimin në pafajësinë e njerëzve që kanë udhëhequr luftën çlirimtare, ndërsa e ka çmuar bashkëpunimin që po tregon me organet e drejtësisë nënkryetari i PDK-së dhe deputeti, Fatmir Limaj.

Kurse në lidhje hetimet që mund zhvilloj edhe Prokuroria e Kosovës me EULEX-in, për ngjarjet e fundit në veri, Kuçi ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk ndërhynë në këto punë, por vetëm jep mandatin dhe mbështetjen e gjetjes së kriminelëve.

“Unë besoj që organet kompetente i kryejnë veprimet e tyre, Qeveria e Kosovës nuk është organ që ndërhyn në këto autoritete. Qeveria e Kosovës jep mandatin e plotë dhe mbështetjen e plotë politike, por nëse ka nevojë edhe logjistike. Unë jam i bindur se hetimet po zhvillohen, jam i bindur që do të identifikohen kryerësit e shkeljeve dhe do të thotë që nga vrasja e policit dhe të pikave doganore, por edhe shkeljet e tjera me kontrabandë. Po ashtu, jam shumë i bindur që ata një ditë do të ballafaqohen para ligjit të Republikës së Kosovës”, është shprehur ai.

Ndërkaq për mundësinë e rikthimit të gjykatësve dhe prokurorëve në gjykatën e veriut, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka ritheksuar se ende nuk janë krijuar kushtet fizike për kthim, por në momentin që krijohen kushtet punonjësit do të kthehen në atë institucion.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›