E Diel, 1 Nëntor 2026

Nishani vizitë 2-ditore në Kosovë, memorandum me homologun Pajaziti

 

TIRANE - Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, përfundoi dy ditë më parë një vizitë zyrtare 2-ditore në Kosovë me ftesë të homologut të tij në Prishtinë, Zenun Pajaziti. “Në takimin mes tyre ministrat Nishani e Pajaziti vlerësuan se bashkëpunimi në luftën kundër krimit ndërkufitar ka pasur rezultate konkrete e për këtë iu referuan edhe rastit të fundit të goditjes së një grupi të trafikut të armëve që vepronte në Shqipëri dhe Kosovë, duke shprehur konsideratat më pozitive për agjencitë e zbatimit të ligjit në të dy vendet, të cilat jo vetëm kryen një goditje të rëndësishme, por ndërprenë rrjedhën e mëtejshme të këtij trafiku”, thanë burimet nga zyra e shtypit në Ministrinë e Brendshme në Tiranë. Sipas tyre, lidhur me bashkëpunimin ndërkufitar ministri Nishani shprehu gatishmërinë e Shqipërisë për realizimin e përvojave të ngjashme me vendet e tjera fqinje edhe me Kosovën për operacione të përbashkëta kundër kriminalitetit ndërkufitar, patrullime të përbashkëta dhe pikat e përbashkëta të kalimit kufitar. Takimi mes dy ministrave u përmbyll me nënshkrimin e Memorandumit të Mirëkuptimit nga ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Bujar Nishani dhe ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Zenun Pajaziti. Gjatë konferencës për shtyp Nishani theksoi se, tek Kosova dhe institucionet e saj, vendet e rajonit gjejnë një partner serioz e të sigurt pasi ka një vullnet të qartë politik për të luftuar me tolerancë zero ndaj kriminalitetit. Ministri i Brendshëm i Shqipërisë u prit në një takim të veçantë edhe nga ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal të Kosovës, Sadri Ferati. Në këtë takim homologu kosovar informoi ministrin Nishani mbi ecurinë e implementimit të procesit të decentralizimit të pushtetit vendor në Kosovë bazuar edhe në paketën “Ahtisari”. Në ditën e dytë të vizitës zyrtare në Kosovë, ministri i Brendshëm i Shqipërisë zhvilloi takime të veçanta me Kryeministrin Hashim Thaçi dhe kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, me të cilët diskutoi për zgjerimin e bashkëpunimit mes dy vendeve për luftën kundër kriminalitetit dhe vendosjen e rendit dhe sigurisë në rajon.    re.kr

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›