E Shtunë, 31 Tetor 2026

Itali, 14 të vdekur nga shpërthimi i gazit në tren

 

Të paktën 14 njerëz kanë vdekur, 3 konsiderohen të humbur dhe mbi 36 të tjerë janë plagosur pas përplasjes së një treni dhe shpërthimit të dy cisternave me gaz të lëngët në Itali. Mes viktimave janë të paktën dy fëmijë, ndërsa rreth 1 mijë njerëz janë evakuuar pas shpërthimit që ndodhi në afërsi të stacionit të trenit në qytetin bregdetar Viarexho, rreth 350 km në veri të Romës. Flakët janë shpërndarë shpejtë dhe kanë kapluar shtëpitë dhe automjetet në afërsi. Zyrtarë të hekurudhave thanë se aksidenti ndodhi për shkak se një karrocë e trenit doli nga hekurudha duke tërhequr katër karroca të tjera. Por hetimet vijojnë. Prokurori i Përgjithshëm i Toskanës, Beniamino Deidda tha se incidenti nuk ishte i rastësishëm, por i provokuar nga shkaqe precize, të cilat ka premtuar se do të identifikohen me kujdes dhe korrektësi. “Tani për tani të gjitha hetimet nuk na çojnë drejt zbulimit të saktë të shkakut të aksidentit”, shtoi ai. Po vlerësohen të gjitha hipotezat e mundshme, mes të cilave rënia e strukturës së një prej ngarkesave, por për momentin nuk përjashtohet asnjë mundësi, përveçse asaj të një atentati. Kryeministri Silvio Berluskoni ka mbërritur në Viarexho, në vendngjarje ku është pritur edhe me duartrokitje, por nga shumica me thirrje “tallëse”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›