E Diel, 1 Nëntor 2026

Viktor Gjika, botohen kujtimet pas vdekjes

 

ALMA MILE

“Kam lindur në Korçë më 23 qershor të 1937 dhe më ka pritur në duar plaka Dhorevicë, që shërbente si mami në mëhallën tonë. Nëna më ka thënë se kam lindur me këmishë, e cila ishte aq e bardhë sa kur më nxorën mua, të gjithëve iu duka si ezmer, ndonëse isha më biondi i gjithë fëmijëve të lindur prej zonjës Meropi Josif Gjika...”. Nuk e kishte pasur keq plaka Dhorevizë. Ai qëlloi vërtetë “me këmishë”, ndonëse u nda nga jeta parakohe. “Vit pas viti” titullohet libri autobiografik që regjisori Viktor Gjika, nisi të shkruante pak kohë para se të ndahej nga jeta. Libri, një ndër amanetet e fundit të regjisorit, i ndarë nga jeta në moshën 71-vjeçare disa muaj më parë, u prezantua dje në mjediset e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, në Tiranë, ku miq të tij sollën kujtime dhe vlerësime për artistin dhe njeriun e dashur. Ndonëse dëshironte ta shihte të botuar librin e tij autobiografik, Gjika nuk mundi ta përfundonte dhe dorën e fundit ia dha veprës një nga miqtë e tij të fëmijërisë, shkrimtari Teodor Laço. Të 275 fletët e librit, botuar nga shtëpia botuese “Toena”, janë mbushur me kujtime prej fëmijërisë, madje prej momentit të lindjes, drejt rinisë, kohës së paharrueshme të studimeve në ish-bashkimin Sovjetik, karriera e mbushur plot suksese dhe vështirësitë artificiale që krijoheshin nën diktaturë, duke përfunduar me kujtime miqsh. Por dhe fotografia, si një ndër pasionet e rinisë së tij, zë një vend kyç në këtë libër.
“Në të gjithë filmat e tij me subjekt nga romanet, ai është zbulues i vërtetë i situatave, i detajeve dhe i karaktereve, duke mos përsëritur në mënyrë skolastike elementët e veprave letrare. Viktor Gjika është një mjeshtër i vërtetë i skalitjes së karaktereve, që mbeten si tipa të veçantë, ku të mençur dhe trima dhe ku tuhafë e të krisur. Duke qenë të tillë, disa sjellje dhe thënie të tyre kujtohen dhe në ditët tona dhe përdoren nga politikanët, gazetarët dhe nga njerëzit e thjeshtë”, - shkruan ndër të tjera shkrimtari Dritëro Agolli, që ka bashkëpunuar me të si skenarist në disa filma, si “Horizonte të hapura”, “I teti në bronz”, “Njeriu me top”, apo “Yjet e netëve të gjata”. “Ai ecën gjithmonë një hap përpara. Dhe duke qenë përpara ai arrin të japë një shembull të mirë dhe shpresë për të gjithë ata që duan të ndjekin ëndrrat e tyre”, - shkruan Pirro Milkani.
Viktor Gjika u nda nga jeta në 4 mars të këtij viti, në moshën 71-vjeçare. Një nga regjisorët më të mirë shqiptarë, Gjika është autor i shumë filmave si “Rrugë të bardha”, “Gjeneral gramafoni”, “Nëntori i dytë”, “Njeriu me top”, etj.

Njohja me bashkëshorten
1961/Me të mbaruar xhirimet e “DEBATIK”-ut u nisa për Korçë. Isha i ftuar në dasmën e Albertinës, vajzës së xhaxha Lonit. Në çardakun ku vallëzohej, më zunë sytë një vajzë me fytyrë të bukur e trup të derdhur, që po rrinte vetëm, sikur e ndiente se dallohej për bukurinë e saj midis të tjerave. Me sa dukej më kishte shastisur se pas pak më afrohet një nga krushkat dhe më thotë: “Merre, more Florën të vallëzosh, se mbeti te shkallët!” Gjatë vallëzimit mora vesh se Flora ishte mësuese në fshatin Rëmbec, afër Korçës. Më bëri përshtypje që i pëlqente puna në shkollën e fshatit, sidomos vajtjet të hënave dhe kthimi të shtunave për të hyrë në “xhirot” e famshme të bulevardit të Korçës. I pëlqenin piknikët që organizonin në pyllin e fshatit, madje më ftoi fare natyrshëm të shkoja dhe unë të dielën e ardhshme. Kur dhëndri me nusen po zbrisnin shkallët, u hodhën mbi kokët e tyre karamelet dhe monedhat tradicionale, Florës i ra në dorë një dylekësh fatndjellës. Kështu u njoha me gruan time të ardhme, të cilën e kam dashur shumë, shumë, shumë dhe ajo i është përgjigjur tërë jetën kësaj dashurie të madhe, duke më ndihmuar në profesionin tim që më mbante me ditë e net të tëra larg saj, në ekspedita xhirimi nëpër zona të thella dhe më vonë në udhëtimet e mia nëpër botë. Rrallë ndonjë grua tjetër do të kishte qenë kaq e urtë dhe e mirëkuptueshme me një burrë të vështirë si unë, që ndoshta gjenetikisht, kishte për idhull të tijin vetëm punën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›