Selanik, flakë dy makinave të konsullatës shqiptare
Dy makina të konsullatës shqiptare në Selanik, Greqi, janë sulmuar në të gdhirë të së martës në rrugët e këtij qyteti me molotov. Për momentin policia greke nuk ka njoftuar detaje mbi hetimet dhe as nëse ka të dyshuar për këtë ngjarje që kalon në incidentet e shkallës diplomatike. Lajmi u publikua në faqen online të gazetës së përditshme greke, “Elefterotipia”. Sipas informacioneve zyrtare nga ky incident ka pasur vetëm dëme materiale. Makinat u dëmtuan nga shpërthimi i bombave të gazit të përgatitura me dorë, me përzierje plasëse nga gazi dhe lëngje të djegshme, të cilat u vendosën nga persona ende të panjohur, në Selanik në mëngjes. Në vendngjarje kanë shkuar gjashtë zjarrfikës me dy automjete kundra zjarrit, të cilët bënë të mundur shuarjen e flakëve në kohë, për të mos lejuar që zjarri të mbërrinte në shtëpitë e lagjes ku ishin parkuar makinat e përfaqësisë diplomatike shqiptare. Nga konsullata shqiptare në Selanik nuk ka pasur reagime për mediat. Por incidenti, edhe pse ende i pazbardhur, ka premisa të acarojë marrëdhëniet mes shqiptarëve dhe pjesës tjetër të popullsisë në Selanik, qytet që njihet për numrin e madh të emigrantëve shqiptarë. Policia greke ka nisur hetimet për këtë ngjarje që në mëngjesin e djeshëm. Por nuk ka ende ndonjë sqarim për të. Sipas hetimeve paraprake të kryera nga bashkëpunimi mes Sigurisë së Selanikut dhe Departamentit të Hetimeve të incidenteve të zjarrit, është e qartë se incidenti ka qenë i qëllimshëm. Por deri tani nuk ka pasur të arrestuar dhe as pista të deklaruara dyshimi, se cili mund të ketë qenë shkaku i këtij incidenti, ishte i provokuar nga ndonjë ngjarje paraprake, apo ishte thjesht një shenjë e urrejtjes etnike, element i njohur për ashpërsinë mes disa grupeve greke. Situata në Greqi mes emigrantëve dhe grekëve, përfshirë edhe policinë, nuk është shumë e vlerësueshme. Së fundmi, një organizatë raciste e njohur si “Chrisi Avgi”, ka hedhur molotov në një magazinë-faltore për myslimanët. Racistët dhe emigrantët përballen shpesh me njëri tjetrin, me ofendime, sherre, dhe dyluftime. Edhe nga zyrtarët grekë nuk ka pasur reagime për rastin e djeshëm, përveçse ofrimit të ndihmës së policisë për të zbardhur ngjarjen.