E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti i ri pajton Ramën me Metën!

Në daljen e përveçme para medieve, Meta theksoi se katër ishin çështjet që ishin diskutuar në këtë takim, siç është reforma zgjedhore, ajo parlamentare, çështja e heqjes së imunitetit të deputetëve si dhe zgjedhja e Presidentit të ri të vendit. Meta tha se takimi ishte konstruktiv dhe se gjithçka ishte në rrugën e duhur.

“Dua të theksoj rëndësinë e zgjerimit dhe thellimit të këtij dialogu midis dy aktorëve parlamentarë dhe jo parlamentarë me qëllim përmbushjen e disa detyrave të rëndësishme që janë parashtruar edhe nga komisioneri Fyle gjatë vizitës në Tiranë dhe ne i kemi theksuar gjatë tre muajve të fundit, si përmbyllja e reformës zgjedhore, zgjidhja e çështjes së imuniteteve për zyrtarët e lartë dhe politikanët dhe përmbylljen  e reformës parlamentare. Këto duhen përmbyllur përpara se të nisin procedurat për zgjedhjen e Presidentit, për të cilin ne kemi kërkuar që ky proces të jetë kushtetuese. Këto reforma duhet të vazhdojnë në mënyrë që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat brenda këtij viti që përkon me 100 vjetorin e shpalljes së pavarësisë”, theksoi Meta.

Ai shtoi se shpresonte që ky dialog të vazhdojë me intensitet me të gjithë aktorët politikë. “Është e rëndësishme përfshirja e të gjithë aktorëve. Ne i pamë rezultatet e zgjedhjeve të fundit në Greqi dhe pamë se problemet ekonomike dhe ato politike sjellin pasoja. Jemi në kohë dhe po ecim në rrugën e duhur. Vizita e z. Fyle ishte një mbështetje e madhe dhe tani është me rëndësi që kjo kohë e çmuar për dy tre javësh dhe duhet shfrytëzuar”, shtoi Meta. I pyetur nëse do të kishte bashkëpunim me PS-së edhe për zgjedhjet e vitit të ardhshëm, ai tha se për LSI-në më i rëndësishëm është projekti i integrimit të Shqipërisë, duke nënvizuar se forca e tij politike do t’i qëndrojë deri në fund marrëveshjes së nënshkruar me Partinë Demokratike.

Rama: Takim me Idrizin dhe Berishën

Më pas, kryesocialisti Rama u shpreh se pas takimit të sotëm, do të ketë takime gjatë ditës së nesërme me kreun e PDIU-së, Shpëtim Idrizi dhe pasnesër me kryeministrin Sali Berisha. Ai theksoi se PS-ja kur ka deklaruar se do të ketë dialog, do ta bëjë atë duke mos qëndruar në llogoret e saj.

"Takimi i sotëm ishte në kuadër të nismës së PS-së për të komunikuar me të gjithë drejtuesit e partive parlamentare dhe për të eksploruar mundësitë e një procesi të dakordësuar për zgjedhjen e Presidentit të Republikës, në mënyrë që të mos jetë një noter partiak. Kush mllefoset nga takimi i sotëm me Ilir Metën, nesër me Shpëtim Idrizin dhe pasnesër me Sali Berishën. Kur themi dialog, do të thotë dialog me kundërshtarët. Shqipërisë i duhet një President konsensual që të garantojë pavarësinë e institucioneve dhe garant për të gjithë shqiptarët për zgjedhjet e ardhshme. Interesi i vendit e kërkon, Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja e kërkojnë”, theksoi ai.

Rama u shpreh se Partia Socialiste, do të bëjë gjithçka për të zgjedhur një President me mbështetjen e të gjitha palëve. “Ne s’mund të predikojmë proces, dakordësi dhe konsensus të nevojshëm për vendin duke qëndruar në llogoren tonë. Është koha për të komunikuar me të gjithë dhe për të dhënë gjithçka ne japim në mënyrë që nga ky proces të jetë në funksion të interesit kombëtar dhe një procesi integrimi ku miqtë dhe partnerët tanë janë të pa zëvendësueshëm”, vijoi ai. /S.Lleshi/Start/

                                                                                             2012-05-08 13:33
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›