E Shtunë, 31 Tetor 2026

Itali-Brazil nje miqesore luksi ne Gjeneve

Do të dalin përsëri në fushë përballë. Italia dhe Brazili luajnë një miqësore luksi sonte në orën 20:00 në Gjenevë të Zvicrës. Një ndeshje që miqësore nuk mund të quhet.
Të kaltrit nuk fitojnë ndaj brazilianëve që nga viti 1982, kur i mundën 3-2 në Botërorin e Spanjës. Më pas, 3 humbje në 5 takime.
Dueli i fundit u luajt në Londër 4 vjet më parë dhe Brazili fitoi 3-0.
Sot gjërat kanë ndryshuar dhe Italia ka besim, ndonëse trajneri Prandeli nuk harron të thotë se kundërshtari është favorit. Kielini është i dëmtuar dhe në mbrojtje luan i riu milanist De Shilio. Në sulm priten Baloteli e Osvaldo, por Prandeli e mban të fshehtë formacionin.
Brazili kërkon identitet për të synuar titullin botëror në 2014 në fushën e vet. Trajneri Skolari, i rikthyer në stol, do të luajë me 3 sulmues: Hulk, Fred e Nejmar.
Pikërisht Nejmari është ai të cilit i trembet më shumë Italia, lojtari që pritet të arrijë ndoshta nivelin e Mesit apo Kristiano Ronaldos.
Dy skuadrat do të ndeshen edhe një herë këtë vit, në qershor, gjatë Kupës së Konfederatave.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›