Sot, BE nis punën me komisionin e ri
Eurodeputetët, pas shumë vonesave votojnë drejtuesin e ri të organizatës
Parlamenti Europian i ka dhënë dje dritën e gjelbër Komisionit të ri Europian. Presidenti i tij, Barroso, dhe 26 anëtarët e tjerë, kanë marrë 488 vota në favor, 137 kundër, ndërkohë që 72 anëtarë kanë abstenuar.
Partia Europiane e Popullit e qendrës së djathtë, që përbën edhe grupin më të madh parlamentar në Parlament dhe grupi liberal, i dhanë mbështetjen e tyre Barrosos dhe skuadrës së tij para votimit. Socialistët, pas disa debateve të brendshme, gjithashtu vendosën që të votojnë në favor. Të gjelbrit dhe e majta ekstreme votuan kundër, ndërsa anti-federalistët abstenuan. Para votës, politikani i qendrës së djathtë portugeze, Barroso, tha se skuadra e tij kishte ide të reja dhe përvoja dhe mbi të gjitha reflektonte një spektër të gjerë pikëpamjesh. Ai u bëri thirrje politikanëve europianë që të shmangeshin nga “glamori intelektual” i pesimizmit dhe në vend të tij të shfaqnin guxim dhe besim. Qëllimet kryesore të komisionit për 5 vitet e ardhshme do të jenë: të ndihmojnë vendet e BE-së në përballimin e krizës ekonomike, ndërmarrjen e iniciativave në shkallë globale për çështjen e klimës dhe mjedisit dhe shndërrimin e Europës në një organizatë më efikase dhe energjike. Në lidhje me situatën e rënduar ekonomike, me të cilën po përballen disa vende të Bashkimit Europian, si Greqia, Irlanda, apo Spanja, presidenti i komisionit tha se koordinimi ekonomik duhet që të forconte bindjen për një union të vërtetë ekonomik mes vendeve të BE-së. Ai premtoi se Olli Rehn, komisioneri i ngarkuar për çështjet e ekonomisë dhe ato monetare, do të përdorte të gjitha ligjet e Traktatit të Lisbonës për t’i mundësuar komisionit lançimin e politikave dhe rekomandimeve ndaj shteteve që kanë probleme financiare. Ndërkohë, ai u kritikua nga disa euro-deputetë për një stil më shumë presidencial seç duhej dhe për një obsesion që kishte komisioni me regjet, duke injoruar e lënë pas dore çështjet sociale. Për disa kundërshtarë të grupit të ri të komisionerëve, ata nuk kanë shfaqur vizionin dhe vendosmërinë e duhur për t’u përballur me të gjitha problemet e Europës. Ndërkohë, deputetët kanë kritikuar edhe mungesën e unifikimit të zërave për sa u përket çështjeve të politikës së jashtme. Vota e djeshme e lejon komisionin që të nisë punën sot, një ditë para takimit të jashtëzakonshëm të liderëve të BE-së, në të cilin do të diskutohet për krizën ekonomike. Lidershipi i ri i komisionit ka qenë një nga çështjet më të nxehta dhe më të debatuara që nga vera e kaluar.
#