Itali-Shqipëri, marrëveshje bashkëpunimi
TIRANE-U nënshkrua në Tiranë marrëveshja për bashkëpunim ekonomik mes Dhomës së Tregtisë së Tiranës dhe asaj të Torinos. Gjatë ceremonisë së nënshkrimit të kësaj marrëveshje Kryebashkiaku i Torinos tha se, në Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë të Torinos aktualisht janë të regjistruar rreth 100 biznese shqiptare, duke theksuar se mirëpret hapësirat lehtësuese të krijuara në Shqipëri për investitorët e huaj. Duke folur për potencialin e sipërmarrësve Piemontezë, si një nga qëndrat më të fuqishme industriale të krejt Italisë, ai theksoi se do tu paraqesë investitorëve klimën pozitive për të zgjeruar financimet në Shqipëri. Ndërkohë kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Gjokë Uldedaj u shpreh se biznesi Piemontez është i mirëpritur të investojë në Shqipëri, duke theksuar se , mbi 400 kompani me kapital italian operojnë në vendin tonë në sektorë kyç si sistemi bankar, energjetik, industri, ndërtim etj. Kjo tregon për lehtësirat që i janë krijuar biznesit të huaj dhe marrëdhënieve të mira të krijuara përsa i përket bashkëpunimit ekonomik. I pranishëm në ceremoni ka qënë dhe zëvendësambasadori italian në Tiranë, Francesco Saverio De Luiggi i cili vlerësoi shkëmbimet tregtare mes dy vendeve.
(m.a/News24/BalkanWeb)