E Shtunë, 31 Tetor 2026

Itali-Shqipëri,zhduken lëvizjet e shoferit

 

TIRANE – Zhduken gjurmët e hyrje-daljeve të shoferit të ambasadës shqiptare të arrestuar në Itali për trafik droge. Për shkak të pasaportës diplomatike ai ka tejkaluar kontrollet kufitare, duke lënë në mister lëvizjet e tij të dyshimta mes dy vendeve. Policia shqiptare i ka kërkuar autoriteteve policore italiane një informacion të detajuar në lidhje me arrestimin në Milano të Arsen Selmanllarit, shoferit të ambasadës shqiptare në Romë. Shkresa zyrtare e nisur me faks nga specialistët shqiptarë të Antidrogës në Drejtorinë e Antikrimit të Organizuar në Policinë e Shtetit, mbante firmën e drejtorit, Arjan Muça. Nisja e shkresës është bërë e ditur për gazetën “Panorama”, nga burime të Policisë së Shtetit, të cilat kanë pohuar se në këtë shkresë të konceptuar në formën e kërkesës për informacion mbi çështjen e arrestimit të shoferit të ambasadës sonë në Romë, janë kërkuar të dhëna dhe rekomandime nëse është e nevojshme të bëhen hetime edhe në Shqipëri. Kërkesa për informacion, mësohet se ka pasur si qëllim njohjen me rrethanat dhe situatën në të cilën është përfshirë punonjësi i stafit teknik të ambasadës. Kjo më pas mund të bënte nisjen e një hetimi paralel në territorin shqiptar për persona të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë veprimtari të paligjshme. Hetuesit e antidrogës kanë kërkuar të dinë rolin e shoferit, të gruas së gjetur në automjet me të, si dhe të kohës që kur kishte nisur hetimi ndaj tij. Ndërkaq autoritetet kanë preferuar të komunikojnë në rrugë diplomatike, për këtë çështje duke shmangur rrugët e tjera të komunikimit. Në këtë mënyra, informacionet e kërkuara nga Policia e Shtetit janë dërguar në Ministrinë e Jashtme, e cila nëse e shikon të nevojshme mund t`ia kalojë ato policisë.      d.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›