E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhuveli: Ajri në Tiranë 30% më i pastër

Shumëkujt mund t’i duket e pabesueshme, por cilësia e ajrit në Tiranë është përmirësuar me 30%. 

ZIRINA LLAMBRO

Kështu të paktën i rezulton Ministrisë së Mjedisit. Kreu i këtij dikasteri, Lufter Xhuveli, deklaroi dje gjatë analizës 7-mujore, se situata ka ndryshuar në sajë të masave që janë marrë për të mos lejuar ndotjen. “Nga monitorimi i fundit që ne kemi kryer, është vërejtur se ajri në metropol ka përmirësim deri në 30 %, krahasuar me të dhënat e mëparshme”, tha Xhuveli. Monitorimi i cilësisë së ajrit është kryer në zonat urbane më të populluara (Tiranë, Elbasan, Durrës, Fier, Shkodër). Në 9 stacione janë matur 6 indikatorët më kryesorë. Ajri rezulton i pastër për 4 treguesit SO2, NO2, O3, dhe Pb, të cilët sipas ministrisë, janë brenda normave të lejuara nga Bashkimi Evropian. “Përmbajtja e pluhurave në ajrin urban, PM10 (grimca nën 10 mikron) dhe LNP (lëndë e ngurtë pezull), në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2007, paraqet  përmirësim, ku 2 stacione rezultojnë brenda normave të lejuara të standardit shqiptar”, thuhet në analizë. Ndërsa në pikat e tjera ku janë kryer matjet edhe pse përmbajtja e pluhurave kalon  normën e lejuar, vihet re tendenca në ulje e përmbajtjes së tyre. Monitorimi konfirmon gjithashtu se ajri është i pastër sa i përket përmbajtjes së metaleve toksike (Pb Cr, Ni dhe Zn). “Për forcimin e monitorimit të mjedisit, ministria ka vënë në dispozicion një fond rreth 18 milionë lekë për lidhjen e kontratave me institucionet monitoruese”, citohet në analizë.
Plazhet
Saranda, Shëngjini dhe Velipoja bëjnë pjesë në hartën e plazheve të pastra. Kjo ka rezultuar nga matja e parametrave mikrobiologjikë të ujërave përgjatë bregdetit. “Ky monitorim është kryer në 71 stacione në zonat më të frekuentuara gjatë sezonit të plazhit në të gjithë linjën bregdetare të vendit tonë. Nga rezultatet e monitorimit vlerësohet se cilësia e ujërave në 63 stacione është në përputhje me rekomandimet e OBSH-së dhe BE-së”, sqarohet në analizë. Ndërkaq segmente të ndotura janë cilësuar zona tek ish-marina luftarake, plazhi i vjetër në qytetin e Vlorës. Në Durrës jashtë parametrave të lejuara janë zonat: Grykëderdhja e lumit Erzen, Shkëmbi i Kavajës, Porto-Romano, Hekurudha. Për cilësinë e ujërave sipas ministrisë, vendi ynë renditet në grupin e 102 vendeve me treguesit më të kënaqshëm. ”Shqetësues vazhdon të mbetet administrimi i mbetjeve të ngurta urbane (problemi i plehrave). Përveç ndotjes së ambientit shkaktojnë edhe dëmtimin e peizazhit dhe ndikojnë në formimin e një imazhi negativ për vendin tonë. Gjatë këtij viti kanë nisur punimet për ndërtimin e disa landfilleve në Shkodër, Tiranë, Sarandë, Korçë, por problemi mbetet i madh”, evidenton Ministria e Mjedisit.

Analiza e punës

• Lehtësohen procedurat për lejet mjedisore
• Tarifat e lejeve ulen nga 30-50%
• Për 7 muaj janë dhënë 600 leje më shumë se vjet
• Janë vendosur gjoba me vlerë totale 44 milionë lekë
• Janë mbyllur 200 aktivitete
• Për ndjekje penale janë çuar 100 shkelës të ligjit
• Nga 24 leje që jepte ministria lëshohen vetëm 5 të tilla
• Janë ulur afatet kohore për miratimin e lejeve nga 3 muaj në 5 javë

Lejet mjedisore,lehtësohen procedurat

Lehtësohen procedurat për dhënien e lejeve mjedisore. Sipas Ministrisë së Mjedisit, reforma konsiston në shkurtimin e afatit kohor për aplikim për leje dhe reduktimin e dokumentacionit të aplikimit, si dhe në përdorimin e procedurës së ankandit, me qëllim rritjen e efektivitetit të administrimit të burimeve natyrore. Gjithaq janë reduktuar edhe tarifat e lejeve nga 30 për qind deri në 50 për qind. Sipas ministrit të Mjedisit, gjatë 7- mujorit të parë të këtij viti, janë dhënë rreth 600 leje dhe autorizime mjedisore më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. “Për zbatimin e kuadrit ligjor janë ushtruar kontrolle intensive ndaj subjekteve me ndikim në mjedis dhe janë vendosur gjoba me vlerë totale 44 milionë lekë”, nënvizoi Xhuveli. Ai shtoi se, janë pezulluar dhe mbyllur 200 aktivitete, si dhe janë çuar për ndjekje penale rreth 100 shkelës të ligjit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›