E Shtunë, 31 Tetor 2026

Itali/ Shtyhet dalja nga spitali e kryeministrit Berluskoni

Kryeministri italian Silvio Berluskoni do të kalojë një natë tjetër në spitalin San Rafaele të Milanos, ku ndodhet që prej ditës së dielë, pas sulmit që pësoi. Dalja e tij nga spitali, që ishte parashikuar për të mërkurën pasdite, në fakt është shtyrë për ditën e enjte. Lajmi është bërë i ditur nga shefi i mjekëve të klinikës San Rafaele dhe mjeku i besuar i kryeministrit italian, Alberto Xangrilo, gjatë leximit të buletinit mjekësor. "Në të kundërt të asaj që kishim lajmëruar të martën, kemi vendosur që ta zgjasim edhe një ditë qëndrimin e Presidentit të Këshillit të Ministrave në spital", ka thënë Xangrilo. Motivet e këtij vendimi të mjekëve të klinikës San Rafaele kanë të bëjnë me zgjatjen e simptomave të dhimbjeve dhe vështirësisë në të ushqyerit e Berluskonit. "Gjendja e kryeministrit është nën kontroll dhe ne jemi të qetë", ka shtuar shefi i klinikës San Rafaele. Dalja nga spitali e Berluskonit është parashikuar në orët e paraditës të së enjtes. Ndërkohë që kryeministri italian nuk do të marrë pjesë në aktivitetet publike të 15 ditëve të ardhshme.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›