Itali, pritet të dalë nga spitali kryeministri Berlusconi
Kryeministri italian Silvio Berlusconi pritet të dalë nga spitali gjatë orëve të pasdites së sotme. Ai ndodhet në spitalin San Raffaele, që prej ditës së dielë, ndërsa i është rekomanduar që të mos ndërmarë aktivitete impenjative për të paktën dy javë. Lajmi është pohuar nga mjeku i tij personal Alberto Zangrillo. Sipas tij kushtet fizike të Berlusconit paraqiten pozitive ndërsa problematike sipas mjekut është gjendja e tij mendore, si pasoje e traumës së përjetuar pasi u sulmua me një statujë të katedrales së Milanos nga një 42 vjeçar. "Nga pikëpamja psikologjike, humori i tij është shqetësues", - ka thënë Zangrillo. Berlusconit i janë këshilluar gjithashtu medikamente qetësuese. Mjeku i tij gjithashtu ka shtuar se kryeminsitri italian aktualisht ushqehet normalisht edhe pse me vështirësi, ndryshe nga ditë më parë kur nuk mund të konsumonte si zakonisht ushqimin për shkak të plagëve në gojë. Ndërkaq lideri amerikan Barack Obama e ka përshendetur presidentin e keshillit të ministrave të Italisë për shërimin e tij të shpejtë gjatë një bisede telefonike . " Ishte një bisedë shumë miqësore dhe kordiale", bën të ditur pallati i Kixhit, dhe gjatë bisedës shefi i Shtëpisë së Bardhë është ndalur në gjendjen shendetësore të Berlusconit duke i shprehur edhe solidaritetin e tij. Ndër te tjera presidenti amerikan ka falenderuar Berlusconin për kontributin e shkëlqyer italian në Afganistan dhe për vendimin e qeverisë italiane për të dërguar edhe 3000 trupa të tjerë në 2010.