Itali, arrestohen tre vëllezër për shfrytëzim prostitucioni
Tre vëllezër shqiptarë u arrestuan dje në Itali, ndërsa akuzohen për shantazh, shfrytëzim prostitucioni dhe armëmbajtje pa leje. Tre shqiptarët janë arrestuar me një urdhër të posaçëm në zonën e Albengas, në Itali, pasi ekzistonte dyshimi se tre vëllezërit kishin bërë plan të largoheshin drejt Shqipërisë me rastin e festave. Sipas hetimeve, tre vëllezërit shtrëngonin dy vajza shqiptare që të prostituonin që prej muajit nëntor, por duket se tre vëllezërit nuk janë mjaftuar vetëm me prostituimin e dy vajzave shqiptare. Nga hetimet rezultoi se në kohën kur njëra nga vajzat që shfrytëzoheshin nisi të refuzonte urdhrat e tutorëve të saj, tre vëllezërit planifikuan rrëmbimin dhe dërgimin e saj në një zonë të izoluar, për t’i bërë presione psikologjike dhe për ta torturuar, duke angazhuar një 23-vjeçar për ta rrëmbyer. Ky ka qenë dhe moment kur ka nisur dhe operacioni policor që çoi në arrestimin e tre vëllezërve shqiptarë dhe shoqërimin e 23-vjeçarit që dyshohet se do të kryente rrëmbimin e njërës prej vajzave.