Plagosja e policit Naim Hyska, shoqërohen katër të dyshuar në Vlorë
Grupi hetimor përqendron hetimet në qytetin bregdetar, ku Hyskaj në vitin 1998 pati një përplasje me një grup kriminal
Policia e Vlorës ka shoqëruar disa persona, të cilët mund të kenë dijeni apo lidhje me plagosjen në Tiranë të policit 46-vjeçar Naim Hyska pasditen e së shtunës. Burime nga grupi hetimor i thanë dje MAPO-s se nga të dhënat paraprake hetimore pista më kryesore është klasifikuar ajo e një “hakmarrjeje” të porositur nga qyteti i Vlorës, qytet ku polici i plagosur në vitin 1998 ka punuar si komandant i grupit të forcave të gatshme. Nga ana tjetër, burime nga policia e qytetit të Vlorës konfirmuan marrjen në pyetje të dhjetëra personave, ndërsa katër prej personave të shoqëruar ditën e djeshme janë pyetur në imtësi mbi aktivitetin e tyre në tri ditët e fundit. Pasi kanë marrë në pyetje kolegë dhe të afërm të policit, hetuesit kanë kuotuar si pistën më të mundshme atë që mund të lidhet me një ngjarje të ndodhur në verën e vitit 1998 në qytetin e Vlorës. Mësohet se asokohe Hyskaj ishte i angazhuar në arrestimin e një grupi të rinjsh që dyshoheshin për aktivitet kriminal në qytetin e Vlorës dhe kishte organizuar disa aksione për kapjen e 5 të rinjve. Ndërsa ka qenë duke udhëtuar me automjetin e vet në vitin 1998, Hyskajt i është hedhur një granatë dore nga një automjet, por asokohe 35-vjeçar, polici i është shmangur granatës dhe ka qëlluar me automatik në drejtim të automjetit në të cilin ndodheshin personat që i hodhën bombën. Pasi ka qëlluar automjetin, një prej të rinjve ka humbur jetën menjëherë dhe hetuesit dyshojnë se atentati i së shtunës mund të ketë lidhje pikërisht me këtë ngjarje. Ky dyshim është përforcuar dhe nga marrja në pyetje e të afërmve të policit të plagosur. Ata kanë pohuar se vetë polici e përmendte episodin e vitit 1998 në Vlorë si një ngjarje që i kishte sjellë atij problem dhe një situatë të përhershme tensioni. Familjarët e 46-vjeçarit janë shprehur në polici se Hyska në asnjë moment nuk ka shfaqur tension në lidhje me punën e tij si efektiv i policisë rrugore. Naim Hyskaj, oficer i policisë rrugore, është plagosur me një plumb në kokë pasditen e së shtunës, në kohën që po kthehej në shtëpi së bashku me të birin 11-vjeçar. Autori e ka pritur pranë shtëpisë dhe e ka qëlluar me një plumb, pa u stepur nga prania e fëmijës “Më vranë babin”- ka qenë fraza që ka alarmuar gjithë lagjen, kur D.Hyska, djali 11-vjeçar i punonjësit të policisë ka zbritur nga automjeti për të shkuar i tmerruar drejt shtëpisë. Të pranishëm në skenën e rëndë, fqinjët e oficerit të qarkullimit rrugor kanë marrë djalin, ndërsa menjëherë nga banesa ka dalë edhe bashkëshortja e tij. Atentati ka ndodhur vetëm pak metra larg banesës së 46-vjeçarit, që ndodhet në katin e dytë të një pallati të ri në “Rrugën e Kavajës”. Atentatori, i cili sipas dëshmitarëve ka qenë i pa maskuar, duke përfituar nga zona e pa ndriçuar dhe rrugicat dytësore, pasi ka qëlluar mbi oficerin e policisë, është larguar në këmbë. Dëshmitar i vetëm i skenës tragjike ka qenë djali 11-vjeçar, i cili sapo ka parë të atin ka dalë nga automjeti për të kërkuar ndihmën e të afërmve. Fqinjët kanë lajmëruar më pas policinë, e cila ka mbërritur në vendin e ngjarjes, duke siguruar edhe skemën e krimit.
Mjekët: Hyska ende në rrezik për jetën, por ka shenja përmirësimi
Efektivi i policisë që u qëllua me armë zjarri të shtunën në kryeqytet, Naim Hyska, ndodhet në gjendje të rëndë në Spitalin Ushtarak.”Shëndeti i tij është ende i rrezikuar. Në 12 orët e fundit ka një përmirësim të gjendjes, por është minimal dhe jo i mjaftueshëm për të garantuar daljen e pacientit jashtë nivelit të rrezikut për jetën. Trajtimi është intensive dhe shpresojmë në një rikuperim të tij”, thanë dje për MAPO-n mjekë të Spitalit Ushtarak. Sipas mjekëve, plumbi që ka përshkruar 46-vjeçarin ka qenë me drejtim qitje nga e majta në të djathtë, pasi 46-vjeçari në momentin kur është qëlluar ndodhej në automjetin e tij tip “Benz” në vendin e shoferit. Që prej momentit të parë Hyskaj i është nënshtruar operacionit dhe mbajtjes në gjendje reanimative, ndërsa plumbi i marrë në kokë është dhe plaga që i rrezikon atij jetën.