Festohen Krishtlindjet, mesazhe paqeje dhe vëllazërimi nga kishat
Besimtarët e krishterë në të gjithë vendin kanë festuar që prej mesnatës së djeshme Krishtlindjet. Në kishat Ortodokse e Katolike në vend janë mbajtur meshat e rastit dhe janë dhënë mesazhe për paqe, mëshirë e përulësi. Si çdo vit, në mesazhin “Urbi et orbi”, të papës Benedikt, ishte dhe urimi shqip, ndërsa fjala e tij kishte në qendër kritikën për komercializimin e Krishtlindjeve dhe lutjen për ndalimin e dhunës. “Dhëntë Zoti, tha Benedikti i 16-të, që dhuna të marrë fund, sepse shumë gjak është derdhur”.
Besimtarët ortodoksë u mblodhën dje në kishat ortodokse në Tiranë dhe rrethe në meshën e Krishtlindjeve. Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, Hirësia e Tij Anastas Janullatos, ka uruar besimtarët e krishterë për festën e Krishtlindjes dhe Vitit të Ri!
"Kapërcimi i të pamundurës nga ana njerëzore është mesazhi qendror i Krishtlindjeve dhe thirremi ta gëzojmë brenda realitetit të ashpër këtë përvjetor. Ne që vështrojmë me besim, birin dhe fjalën e Perëndisë të bërë njeri, e kemi se ai qëndron me ne dhe se shumë gjëra të pamundura nga ana njerëzore me fuqinë e Perëndisë bëhen të mundura. Vëllezër dhe motra të dashur, uroj që kjo bindje të fuqizohet brenda nesh gjatë kësaj periudhe festive, të na ngushëllojë e të na mbështesë në vitin që po vjen! Krishtlindje të bekuara! Viti i Ri qoftë i mbushur plot me durim dhe paqe!”, tha Janullatos drejtuar besimtarëve.
Ndërkohë që mijëra besimtare katolikë u mblodhën në mesnatë në Katedralen e Shën Palit në kryeqytet për të kremtuar këtë moment të rëndësishme në kalendarin kristian, lindjen e shpëtimtarit Jezu Krisht. Mesha e shenjtë e Krishtlindjes për katolikët u mbajt nga arkipeshkvi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, Imzot Rrok Mirdita.
Ai u uroi besimtarëve katolikë më shumë paqe, mirësi dhe afrimitet me njëri-tjetrin. Mesha janë mbajtur edhe në kishat e tjera në gjithë Shqipërinë, Kosovë si dhe në Malin e Zi. Krishtlindja është dita më e gëzueshme e besimtarëve të krishterë, sepse simbolizon lindjen e shpëtimtarit Jezu Krisht dhe të shpresës.