Itali, arrestohet i kërkuari për grabitje në Shqipëri

Policia italiane ka bërë të mundur arrestimin e një shqiptari i cili kërkohej nga drejtësia shqiptare për vjedhje.
Burime nga policia shqiptare bëjnë me dije se si rezultat bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Romën, në Bologna të Italisë, është arrestuar me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë shtetasi shqiptar, Edmond Sina 34 vjeç nga Tirana.
Sipas policisë Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, e ka dënuar Sinën me 10 vjet burg për kryerjen e veprës penale të "Vjedhjes me armë në bashkëpunim”.
Ngjarja ka ndodhur më datën 21.04.1998, rreth orës 21:00, ku 34-vjeçari Sina në bashkëpunim me një shtetas tjetër, në vendin e quajtur
Fabrika e tullave nr.3, Tiranë, i ka vjedhur me armë mjetin tip furgon një shtetasi. Pasi kanë qëlluar në ajër, këta dy shtetas kanë detyruar pasagjerët që ndodheshin brenda furgonit të zbresin, duke u larguar më pas me mjetin e vjedhur.