Itali, bllokohen 110 kg marijuanë, në pranga tre shqiptarë
Itali
Policia italiane ka arrestuar dy shqiptarë dhe një italian, të cilët ishin duke transportuar 100 kg marijuanë në Brindisi. Në prangat e karabinierëve italianë ranë Elton Ismaili dhe Robert Jahaj, që të dy 33-vjeçarë, si dhe Domenico Bassi, 29 vjeç. Sipas policisë, ata ishin duke lëvizur me dy makina në momentin që u ndaluan. Agjentët u kërkuan atyre që të ndaleshin dhe pas kontrollit të kryer në makinën, e cila drejtohej nga italiani, u gjet edhe droga e fshehur. Karabinierët deklaruan se ata kishin disa kohë që po hetonin për aktivitetin e këtij grupi dhe ditën e djeshme bënë të mundur arrestimin e tyre. Ndërkohë që në zonën e Valdichiana-s u bë ndalimi i një 28-vjeçari shqiptar me inicialet H.E., i cili ishte duke transportuar 10 kg marijuanë në makinën e tij. Ndërsa ka parë policinë që po i afrohej, ai është përpjekur që të largohet me shpejtësi, por është kapur më pas nga karabinierët. Kështu, në prangat e policisë italiane ranë tre shqiptarë, të përfshirë në trafikun e drogës dhe u sekuestruan 110 kg marijuanë. Vlera e përgjithshme e drogës së kapur është rreth 280 mijë euro. Të arrestuarit tashmë ndodhen në burg, në pritje për të dalë përpara gjykatës italiane, për të marrë masën e arrestit.
Brindisi
Agjentët italianë po hetonin në lidhje me aktivitetin e të arrestuarve, të cilët merreshin me transportimin dhe shitjen e lëndëve narkotike. Dy shqiptarët dhe shoku i tyre italian ishin duke lëvizur me dy makina. Karabinierët i janë vënë në pas dhe në një postbllok i kanë ndaluar. Sipas policisë italiane, 29-vjeçari italian Domenico Bassi ecte në fillim me një automjet tip “Ford Focus”. Nga pas, në një makinë të tip “Lancia Kappa” ishin Elton Ismaili dhe Robert Jahaj, të cilët po e shoqëronin atë. Nga kontrolli i bërë nga agjentët në makinën e 29-vjeçarit italian u gjet një sasi prej 100 kg marijuanë e ndarë në pako me nga një kilogram secila. Ai e kishte fshehur drogën në pjesën e pasme të makinës, por që u arrit të gjendej nga karabinierët pas kontrollit, ndërkohë që në makinën tjetër, ku ishin dy shqiptarët nuk u gjet lëndë narkotike. Vlera e drogës e sekuestruar nga policia italiane është rreth 280 mijë euro.
Valdichiana
Një 28-vjeçar shqiptar është arrestuar nga policia italiane, pasi në makinë e tij u gjetën 10 kg marijuanë. I riu me inicialet H.E. u përpoq që t’i largohej arrestimit, por ai u ndalua nga karabinierët italianë. Vlera e drogës së kapur është rreth 30.000 euro. Shqiptari ishte duke lëvizur në rrugën nacionale Betolle-Valdichiana, kur u dallua nga policia, ndërsa lëvizte me një makinë tip “Fiat Punto”, brenda së cilës kishte edhe sasinë e drogës. Ndërsa ai ndaloi makinën për të zbatuar urdhrin e policisë, në vend që t’u jepte atyre dokumentet, u përpoq që të largohej me vrap, por u ndalua menjëherë. Nga kontrolli i kryer, karabinierët gjetën në pjesën e pasme të makinës një çantë ku ishte fshehur marijuana e ndarë në pako. Të riut iu vunë prangat dhe ai u shoqërua në qelitë e paraburgimit të Orvietos.