Gjyqi ndaj ish-shefit të Qarkullimit, dëshmitarët: Ahmeti nuk përdori fjalë fyese
Në seancën e radhës në procesin gjyqësor në ngarkim të ish-shefit të Qarkullimit Rrugor të Tiranës, Krenar Ahmeti, dëshmuan dy dëshmitarë. Ata kanë treguar momentet e përplasjes së Ahmetit me kallëzuesit, Agron Bajri dhe bashkëshortes së tij, prokuroren Elisabeta Bajri (Ymeri). Nexhmi Bali, me profesion taksist tregoi: “Ditën e ngjarjes kam qenë përballë me dy kullat. Ka qenë darkë, kur unë isha jashtë makinës sime dhe kam dëgjuar ofendime me zë të lartë. Ahmeti i tha që do të lajmëronte policinë që ta shoqëronte në komisariat. Personi që ulërinte i tha që nuk mund ta shoqëronte, pasi ai ishte avokat. Aty afër ishte dhe një grua me telefon në dorë, që i tha Ahmetit që t’i fliste. Por ai i ktheu përgjigje që nuk kishte punë me të dhe të largohej”. Ndërsa dëshmitari i dytë i paraqitur në seancë ishte efektivi i policisë në komisariatin nr. 2, Aurel Jeniçeli. “Kam zbritur nga makina dhe kam shkuar me këmbë pasi kishte trafik. Kam dalluar shefin e Qarkullimit Rrugor, Krenar Ahmetin, që i thoshte një personi: “Zotëri, do të shoqërohesh”. Kam fiksuar edhe një femër, e cila ka thënë që “është bashkëshorti im dhe mos më prekni me dorë se jam prokurore”, - ka shpjeguar Jeniçeli. Në seancën e radhës do të thirren për të deklaruar dëshmitarë të tjerë të mbrojtjes.