Masakra e Shkopetit, Reçi: Një bullgare, alibia ime
Në gjykatën e Matit dje u zhvillua procesi gjyqësor në ngarkim të Luftar Reçit, i akuzuar për vrasjen e Maksim Lalës
BURREL - "Kërkoj të thirret në gjyq një shtetase bullgare e cila do të dëshmojë se ditën e vrasjes unë kam qenë me të në Tiranë dhe jo në Shkopet, siç pretendon prokuroria".
Kjo ka qenë kërkesa e të pandehurit Luftar Reçi drejtuar trupit gjykues, i cili po shqyrton çështjen ndaj tij. Reçi nga Dibra, akuzohet për vrasjen e Maksim Lalës, ngjarje e ndodhur më 10 maj të vitit 2005. Gjatë seancës së djeshme, prokuroria paraqiti provat që fajësojnë të pandehurin Reçi si autor të masakrës.
Prokuroria Mat ka ndërtuar gjithë skenën e vrasjes dhe lëvizjen e personave të përfshirë, ku është akuzuar pikërisht Luftar Reçi, koleg i Maksim Lalës në trafikim të lëndëve narkotike.
Në ndërtimin e kësaj skene të vrasjes së Lalës hyn detaji i lëvizjes së viktimës me makinë më datë 10 maj 2005 nga një drejtues mjeti që më pas është larguar. Por Reçi e ka kundërshtuar prokurorinë duke u shprehur se nuk është shoferi që ka sjellë policinë dhe grupin e hetuesve nga Tirana në vendin e ngjarjes, por ishte policia që i ka prirë atij deri në Shkopet.
Gjithashtu ai ka replikuar edhe në lidhje me numrat e telefonit që ky shofer kishte, pasi sipas tij numri i Reçit nuk ishte në listën e celularit të tij. I pyetur rreth numrave të telefonave që dispononte, i pandehuri deklaroi se ka pasur 5-6 numra dhe ata nuk i mbante mend.
Gjatë kësaj seance është mësuar se viktima mbante dhe një emër tjetër, Aleks Lala, ndërsa sa ishte gjallë kishte 9 numra telefoni. Gjithashtu, nga ekspertimi i armëve nuk rezultonte që ato të jenë përdorur në vrasjet e kryera në Dibër apo Tiranë dhe se bari i gjetur në çantën sportive nuk ishte lëndë narkotike e se në rrobat ushtarake nuk janë gjetur shenja gjaku, spermë apo flokë.
Ndër të tjera, ditën e vrasjes së Maksim Lalës është faktuar se Reçi dhe viktima kanë folur me njëri-tjetrin në telefon, madje janë zbardhur dhe biseda mes Lalës e së dashurës së tij pak kohë para se të vritej. Gjatë kësaj bisede mësohet se viktima i ka treguar vajzës me të cilën ishte i lidhur se ndodhej me të akuzuarin.
Ndërkohë Luftar Reçi, duke kërkuar që të merret në cilësinë e dëshmitares shtetasja bullgare I.T., tha se në momentin që prokuroria pretendon se ai ka qenë në Shkopet, në të vërtetë ai ka qenë me miken e tij në një lokal privat në Tiranë. Kryesuesi i seancës ka realizuar një lidhje direkte me bullgaren duke e pyetur atë nëse ishte e gatshme të dëshmonte në këtë proces. Shtetasja bullgare është përgjigjur:
"Ju zbatoni ligjet tuaja dhe unë jam e gatshme të dëshmoj, por më parë dua siguri nëse vij për të dëshmuar në Shqipëri". Maksim Lala u gjet më 10 maj 2005 disa metra poshtë rrugës nacionale i vrarë me një plumb në kokë dhe i shfytyruar nga dëmtimet e bëra pas një linçimi të gjatë, i zhveshur totalisht dhe pa asnjë dokument identifikimi. Në vendin e ngjarjes oficerë të policisë gjyqësore kanë gjetur edhe katër armë automatike me 3500 fishekë.