Gjykata e Lartë rrëzon sërish prokurorinë, Andi Toma pa akuzë
Gjykata e Lartë ka rrëzuar të gjitha veprimet e kryera nga Prokuroria e Përgjithshme për dosjen “Durrës-Kukës”, duke lënë në fuqi vendimin e marrë nga dy gjykatat e tjera mbi Andi Tomën dhe Armand Telitin. Në bazë të këtij vendimi të marrë nga Kolegjet e Bashkuara, pritet që të pushohet çështja edhe ndaj ministrit të Jashtëm, Lulzim Basha, i cili është marrë nën hetim në mënyrë të paligjshme, argumentuar sipas vendimit të dhënë dje nga Gjykata e Lartë. Kështu, sipas vendimit të dhënë nga Gjykata e Lartë, të gjitha vendimet të kryera pas datës 6 nëntor të vitit të kaluar janë të paligjshme. Gjatë seancës së zhvilluar, ditën e djeshme prokurori i çështjes “Durrës-Kukës”, Arben Kraja, ka kërkuar dje nga Gjykata e Lartë prishjen e dy vendimeve të dhëna nga dy shkallët e tjera, për zgjatjen e afateve të hetimit. Sipas tij, dy gjykatat e tjera nuk kanë qenë kompetente në gjykimin e kësaj çështjeje. Përfaqësuesi i akuzës ka shpjeguar dje se prokuroria kishte nën hetim një person me imunitet, si dhe procesi ishte i lidhur, për këtë fakt gjykata kompetente që duhet të gjykonte çështjen ishte Gjykata e Lartë. Prokurori i shpjegoi gjykatës se dy gjykatat e mëparshme nuk e kishin marrë parasysh faktin që kishim të bënim me një procedim të lidhur. Prandaj sipas tij, duhet të rrëzoheshin edhe dy vendimet e mëparshme.
Avokati mbrojtës i Armand Telitit dhe Andi Tomës, Genc Gjokutaj, i ka kërkuar gjykatës që të linte në fuqi vendimin e marrë nga dy gjykatat e tjera. Sipas Gjokutajt, pretendimi se personi nën hetim është i barabartë me personin e pandehur, nuk mund të lidhen bashkë. “Personi nën hetim nuk është bonus për akuzën. Nuk ka përse t’i mohohet e drejta e gjykimit në shkallë të tjera Telitit dhe Tomës. Gjykata e Lartë gjykon vetëm çështjen e themelit”, - u shpreh avokati mbrojtës. Pasi u dëgjuan të dyja palët, Kolegjet e Bashkuara vendosën që të lënë në fuqi vendimin numër 564 të dhënë nga Gjykata e Apelit Tiranë, në lidhje me pushimin e afateve të hetimit nga ana e prokurorisë. Pas vendimit të marrë nga ana e gjykatës, avokati mbrojtës, Genc Gjokutaj, deklaroi se në bazë të vendimit të marrë u konfirmua vendimi jo i rregullt. “Sot ne vërtetuam se hetimi është zgjatur subjektivisht nga prokuroria. Kjo do të ketë efektin edhe për raste të tilla, që mund të ndodhin në të ardhmen, që të mos ndodhin më shkelje të të drejtave themelore të personit që hetohet. Pra, ky është një kontribut për procesin e rregullt ligjor”.
Në datën 10 prill, Gjykata e Lartë do të vendosë në lidhje me dosjen “Durrës-Kukës”, ndërkohë që ditën e djeshme Gjykata e Lartë la në fuqi vendimin e Gjykatës së Apelit në lidhje me pavlefshmërinë e procedurave hetimore pas datës 6 nëntor të vitit të kaluar në lidhje me dyshimet për afera korruptive.