E Diel, 1 Nëntor 2026

Itali, emigrantët shqiptarë dalin nga lista e të padëshiruarve



Nuk është aspak e vërtetë që emigrantët shqiptarë janë më kriminelë sesa shtetasit italianë. Madje, disa prej kombësive që kanë emigruar në Itali, shpeshherë janë paragjykuar dhe më pas dënuar. Pjesë e këtyre paragjykimeve për një kohë të gjatë kanë qenë edhe shqiptarët. U është dashur shumë punë dhe mund për të dalë nga situata e krijuar. Por sot, pas shumë vitesh një studim vlerëson që komuniteti i emigrantëve shqiptarë në Itali ka arritur të fitojë respekt si në ambientet e punës, ashtu edhe në lagjet ku ata jetojnë.

Studimi

Në mënyrë të veçantë përmenden emigrantët shqiptarë. E përditshmja italiane cilëson se së fundmi ky komunitet është tejet i nderuar në shtetin fqinj.

Vërtetim i këtij fakti është studimi i bërë në Itali nga Departamenti Ekonomik në Universitetin e Barit dhe nga Cnel.

Njëzet vjet pas ardhjeve të para të emigrantëve nga Adriatiku, komuniteti i formuar nga emigrantët shqiptarë në Itali në fakt është parë nga shumë këndvështrime, duke verifikuar deri në detajet më të imta si sjelljen e tyre, ashtu edhe problemet që kanë hasur ata gjatë qëndrimit të tyre në Itali. Gjithashtu, është marrë në konsideratë respekti që ata kanë fituar në vendet e punës dhe në lagjet ku jetojnë.

“Panorama e përgjithshme e studimit cilëson praninë e emigrantëve shqiptarë në Itali mjaft pozitive”, - është shprehur studiuesi Franko Pitau. Ky studim hap një tjetër faqe historisë së emigrantëve shqiptarë, duke u dhënë mundësinë për t’i parë ata pa paragjykime.

Komuniteti shqiptar falë këtij studimi mund të shikohet edhe pa syze optike. Tashmë ata kanë dalë nga lista e të padëshiruarve në shtetin fqinj. Sipas studiuesit Pitau, mënyra e të sjellurit të tyre në fillimin e emigrimit të shqiptarëve është fryrë paksa nga paragjykimet e shtetasve italianë dhe vetëm tani që kanë emigruar edhe kombësi të tjera, shqiptarët po shikohen për atë çfarë janë në të vërtetë.

Komuniteti

Sipas të dhënave të Dossier Caritas-Migrantes, rezulton se shqiptarët në Itali janë mbi 400 mijë. Xhoana Nokaj, studiuese shqiptare, cilëson se shqiptarët janë ambientuar me vendin ku jetojnë.

Profesor Giovanni Ferri i Universitetit të Barit shpjegon se studimi tregon se si emigracioni është një fenomen që zhvillohet mes dy realiteteve, në qytetin e lindjes dhe në vendin e emigruar, duke respektuar kulturat e të dy vendeve. Sado që të kenë gjetur rehatinë në shtetin ku janë shpërngulur, emigrantët një ditë sërish i kthehen vendit ku kanë lindur. Sipas studimit, kjo gjë nuk i pengon shqiptarët të jenë pjesë e realitetit italian dhe jo të ndihen të huaj.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›