Misri kallp, raste të reja në Fier
Misri që prodhon kallinj pa kokrra po zbulohet se është mbjellë në shumë sipërfaqe toke. Raste të reja me misrin kallp janë zbuluar dje në qytetin e Fierit. Ndërsa Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit vazhdon të deklarohet se janë në pritje të analizave për raste të përfolura, fermerët kanë vënë alarmin se rastet me misrin e modifikuar gjenetikisht po shtohen dita-ditës.
Fara e misrit skarco, e aftë për të prodhuar kallinj pa kokrra, ndërkohë që bima rritet normalisht vetëm si masë vegjetative, është zbuluar se është mbjellë edhe në tokat e Fierit. Një vatër tjetër është zbuluar dje në Sheq të Madh të rrethit të Fierit, fare pranë qytetit, ku rreth 30 fermerë rezulton të kenë pësuar dëme si rezultat i blerjes së kësaj fare në një nga filialet e firmës “AgroBlend”. Vatra më e re me kallinj misri pa kokrra është lokalizuar në rreth 20 hektarë tokë të mbjella me këtë kulturë. Nga konstatimet fillestare rezulton që fermerëve t’iu jetë shkaktuar një dëm rreth 2.5 milionë lekë, si rezultat i përdorimit të farës së blerë në filialin e “AgroBlend”-it. Fermerët tashmë janë ankuar në pikën e tregtimit, pasi është evidentuar qartë se misri ka rezultuar vetëm me kallinj, por pa kokrra. Fermerët kërkojnë sa më parë dëmshpërblim për humbjet që kanë pësuar, ndërkohë që pohojnë se nga ana e tyre janë bërë të gjitha shërbimet agroteknike.
Ndërkohë ditë më parë rastet e para me misrin shterp janë zbuluar në rrethin e Matit. 162 fermerë në këtë rreth janë ankuar se fara që ata kanë blerë dhe mbjellë nuk ka dhënë prodhim, por vetëm masë vegjetative. Ndërkohë, një ditë më parë kanë ardhur dhe specialistë nga Ministria e Bujqësisë, të cilët, pasi kanë marrë me vete analizat përkatëse në 20 ha tokë të mbjellë me misër, nuk u kanë kthyer asnjë përgjigje fermerëve.
Ndërkaq dy ditë më parë, ministri Gjana u deklarua për këtë problem se specialistët e Ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit po kryejnë analizat përkatëse në mostrat e misrit që ka rezultuar kallp në disa zona të vendit. Ministri Gjana ka garantuar se në rastet kur do të zbulohet nga analizat se mistri është kallp, fermerët do të dëmshpërblehen. Ministri Gjana po ashtu garantoi të gjithë fermerët për cilësinë dhe sigurinë e farërave dhe fidanëve bujqësore të importuar, që shiten në tregjet e vendin. Duke vlerësuar problemin me 100 kv farë misri, e cila prodhonte vetëm kallinj bosh (ngjarje e ndodhur ditët e fundit në zonën e Matit, Elbasanit e Peqinit), kreu i Bujqësisë tha dy ditë më parë se inspektorët po kryejnë me rigorozitet dhe saktësi kontrollin e farërave dhe fidanëve në të gjithë vendin. Gjana theksoi se dëmshpërblimi i fshatarëve, që nuk kanë marrë prodhim misri, do bëhet pasi të merren rezultatet e analizave të farës. Firma “Agro-Blend” ka importuar nga Franca 100 kv farë misri, që ka rezultuar me probleme gjatë fazës së pjalmimit. Në tregun shqiptar të farërave dhe fidanëve, operojnë 27 kompani, të licencuar nga Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit për importin e farërave bujqësore.