Retë vullkanike e bllokojnë në Bruksel,Berisha niset me makinë
Erald Kapri
Dorëzimi i pyetësorit të Komisionit Evropian në Bruksel ishte një nga momentet kyçe të karrierës politike të Kryeministrit Sali Berisha, por edhe kthimi nga Belgjika do të mbahet mend. Berisha nisi një udhëtim prej mijëra kilometrash me makinë përmes disa shteteve evropiane për të ardhur në Shqipëri. Hiri vullkanit i ardhur nga vullkanet e Islandës detyruan aeroportet kryesore të Evropës të mbyllen për disa ditë. Kreut të Qeverisë shqiptare i sugjeruan që të qëndrojë deri ditën e hënë në Bruksel, e më pas të niset drejt Tiranës, por Berisha ka preferuar të mos presë. Kryeministri u nis me makinë bashkë me delegacionin që e shoqëronte. I shoqëruar nga një eskortë e shtetit belg, Berisha nisi udhëtimin e tij fillimisht drejt Gjermanisë, në qytetin e Kelnit. Mësohet se udhëtimi me makinë nisi dje në orën 11:30 minuta, ndërsa pas tri orësh ai mbërriti në Keln. Arsyeja për të mbërritur në Keln ishte mundësia për të udhëtuar përmes aeroportit të këtij qytetit gjerman, por sërish Kryeministrit iu dha lajmi i keq se aeroporti do të qëndronte i mbyllur. Mundësia për të udhëtuar drejt Vjenës me avion nga Kelni ishte e pamundur për delegacionin shqiptar, por kreu i Qeverisë kërkoi që udhëtimi me makinë të vijonte edhe deri në Vjenë të Austrisë. Kësaj here i shoqëruar nga një eskortë e shtetit gjerman, kreu i Qeverisë shqiptare vijoi udhëtimin e tij edhe për disa orë. Prej më se 1300 kilometra ka vijuar udhëtimi nga Brukseli deri në Vjenë, por nuk u mësua nëse delegacioni shqiptar gjeti mundësinë të udhëtojë me avion nga kryeqyteti i Austrisë. Teksa ora shënonte rreth 22:00 e mbrëmjes, delegacioni shqiptar dhe eskorta që e shoqëronte atë për masa sigurie nuk kishte mbërritur ende në Vjenë. Nëse udhëtimi do të vijojë deri në Tiranë me makinë, atëherë mbi 2200 kilometra rrugë do të duhet të kryejë delegacioni shqiptar. Një ditë më parë Berisha ishte i ftuar në emisionin “Opinion” dhe i pyetur se me çfarë do të kthehej në Tiranë, Kryeministri u shpreh se nuk do të priste në Bruksel. “Do ta gjej një shteg për t’u kthyer”, tha Berisha. Arsyeja e hezitimit së Kryeministrit për të qëndruar 3 ditë në Bruksel, e për ta kaluar atje fundjavën për shkak edhe të rrethanave të krijuara, mësohet të jetë dëshira e Berishës për t’u kthyer sa më shpejt në Shqipëri. Pjesë e delegacionit ishte Ministria e Integrimit, Majlinda Bregu, si dhe mjaft këshilltarë të Kryeministrit. Berisha nuk është i vetmi lider që e ka pësuar nga hiri vullkanik, pasi pjesa më e madhe e liderëve të botës kishin prenotuar udhëtimin ditën e shtunë drejt Varshavës, ditën kur do të organizohet ceremonia mortore e Ish-Presidentit polak, Kazinski. Qindra mijëra pasagjerë në Evropë dhe në të gjithë botën janë prekur nga ky kaos i paprecedent. Ekspertët në Islandë thonë se vullkani vazhdon të lëshojë llavë, por po prodhon më pak hi. Që prej 11 shtatorit të vitit 2001, nuk kishte ndodhur një paralizim i tillë në transportin ajror.
Kjo është hera e parë që Kryeministri Sali Berisha detyrohet që për shkak të kushteve natyrore të ndryshojë itinerarin e udhëtimit të tij. Në Bruksel, gjatë vizitës së tij dyditore, kreu i ekzekutivit dorëzoi pyetësit e Komisionit Evropian. Ai u prit nga liderët kryesorë të Bashkimit Evropian, nga ku mori garanci për një proces të shpejtë të liberalizimit të vizave, por edhe të një shqyrtimi korrekt të përgjigjeve shqiptare për statusin kandidat. Vetë Berisha e cilësoi si një moment të rëndësishëm në historinë e vendit dorëzimin e pyetësit të KE-së.