E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapet studenti i Ekonomisë me 108 kg marijuanë

Policia Kufitare e Gjirokastrës ka arritur që të kapë 108 kg marijuanë dhe ka arrestuar një student 24-vjeçar. Në prangat e policisë ka rënë Klodian Basha, ndërkohë janë shpallur në kërkim edhe dy persona të tjerë, të cilët dyshohen se janë anëtarë të këtij trafiku droge.

I arrestuari studionte në degën e Ekonomisë në Universitetin “Eqrem Çabej” në Gjirokastër. Sipas burimeve të policisë, 24-vjeçari u ndalua në orët e vona të mbrëmjes së djeshme pranë fshatit Kakavijë, teksa bashkë me dy persona të tjerë tentonte të kalonte për në Greqi. Policia u kishte bërë thirrje atyre të ndalonin, por të tre nuk i ishin përgjigjur thirrjes. Ata kishin filluar që të vraponin për t’iu shmangur arrestimit, duke braktisur çantat dhe ishin larguar me shpejtësi në thellësi të tokës greke. Dy prej të kërkuarve arritën që t’i shpëtonin arrestimit. Në tri ditët e fundit, policia shqiptare ka arritur që të bllokojë sasi të konsiderueshme droge dhe ka goditur disa grupe që merreshin me trafikimin e saj.

Operacioni

Policia Kufitare e Gjirokastrës kishte nisur që të kontrollonte si zakonisht zonën afër kufirit ndarës me Greqinë. Në afërsi të karburantit “Eko”, afër fshatit të Kakavijës, 25 km larg qytetit të Gjirokastrës, janë parë tre persona, të cilët kishin me vete disa çanta. Agjentët u kanë bërë thirrje që ata të ndalonin për t’i kontrolluar. Por, sapo ata kanë parë se policia po afrohej, janë larguar menjëherë me vrap. Uniformat blu kanë filluar menjëherë ndjekjen ndaj tre personave, të cilët u nisën në drejtim të tokës greke, për t’iu shmangur arrestimit. Megjithatë, uniformat blu kanë arritur që të vënë në pranga 24-vjeçarin Klodian Basha. Ai është shoqëruar për në ambientet e paraburgimit, në pritje për të marrë masën e arrestit nga Gjykata e Shkallës së Parë në Gjirokastër.

Droga

Të tre transportuesit u larguan duke lënë pas disa çanta me drogë. Pas kontrollit të kryer, agjentët e policisë gjetën 108 kilogramë lëndë narkotike. Droga, e cila dyshohet se është e llojit marijuanë ishte e vendosur në tre çanta, të cilat ishin mjaft të mëdha dhe me ngjyrë të zezë. Marijuana e vendosur brenda ishte mbështjellë dhe ishte ndarë në pako me nga 12 kilogramë secila.

Hetimet

24-vjeçari, i cili u arrestua ditën e djeshme, sipas burimeve të policisë, ishte student i vitit të tretë në degën e Ekonomisë në Universitetin “Eqrem Çabej” të këtij qyteti. Megjithatë. Bashkë me 24-vjeçarin ishin dhe dy persona të tjerë. Hetuesit kanë marrë në pyetje të arrestuarin në lidhje me këtë rast. Ndërkohë po punohet për kapjen e dy transportuesve të tjerë, të cilët ishin me Bashën. 24-vjeçari akuzohet për trafikim të lëndëve narkotike. Nga hetimet paraprake dyshohet se i arrestuari, së bashku me dy personat e tjerë janë pjesë e një grupi që merret me trafikimin e lëndëve narkotike drejt Greqisë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›