Itali, humbje e Berlusconit në zgjedhjet vendore
Kryeministri italian Berlusconi pësoi një humbje të hidhur në zgjedhjet rajonale dhe komunale. Ai vetë e kishte quajtur votimin me plot gojën "referendum", një "test kombëtar" për personin e tij dhe qeverinë që drejton. Por zgjedhjet komunale dhe rajonale në Itali përfunduan për Silvio Berlusconin në një fiasko: në zgjedhjet e para pas padisë për shkak të marrëdhënieve seksuale me një prostitutë të mitur, Berlusconit iu desh të pranojë humbjen në zgjedhjet e balotazhit, në dy kështjella të forta të konservatorëve: Milano dhe Napoli. Që pas rezultateve të dobëta në raundin e parë, si p.sh. në Torino dhe Bolonja, komentuesit bënë fjalë për një "humbje strategjike". Koha e 74-vjeçarit Berlusconi po merr fund, u tha. Ngadalë ai duhet të marrë masa për gjetjen e një pasuesi. Në Milano, ku kryetari i bashkisë zgjidhet prej gati 20 vjetësh nga rrethi i aleatëve të Berlusconit, kryetarja aktuale Moratti humbi në balotazh ndaj konkurrentit me orientim të majtë, Giuliano Pisapia. Në Napoli kandidati i Berlusconit, Gianni Lettieri, rezultoi me rreth 30 për qind vota më pak se kandidati i qendrës së majtë, Luigi de Magistris, një ish-gjykatës. Edhe në Cagliari, Trieste, Novara dhe Arcore kampi i qendrës së djathtë humbi dukshëm. Qysh në raundin e parë dy javë më parë, u përvijëzuan humbje dramatike për partinë e Berlusconit, "Populli i Lirisë" (PdL), dhe për aleaten e tij Lega Nord.