Itali, kapen mes portokalleve 730 kg marijuanë
Një sasi prej 730 kg marijuanë e prodhuar në Shqipëri dhe e transportuar nga Greqia, u kap nga policia italiane në portin e Ankona-s. Punonjësit e doganës vunë në pranga dy persona, të cilët ishin dhe shoqëruesit e drogës. Sipas drejtuesve të policisë italiane, sasia e sekuestruar e drogës ishte prodhuar në Shqipëri. Trafikantët më pas, nëpërmjet kufirit tokësor kishin arritur që ta kalonin atë në vendin fqinj. Në Greqi ai u ngarkua në një anije që transportonte rreth 18 ton portokalle, për t’u nisur drejt Italisë. Por, nuk ka mundur t’i shpëtojë kontrollit të doganierëve dhe agjentëve të policisë, të cilët arritën që të dallonin sasinë e madhe të drogës dhe ta sekuestronin atë. Dy personat e arrestuar u dërguan në qelitë e paraburgimit, në pritje për të dalë përpara gjykatës për të marrë masën e arrestit.
Zbulimi
Ditën e djeshme, punonjësit e doganave në portin e Ankona-s kanë arritur të dallojnë që në kamion ishte e fshehur një sasi e madhe droge. Ai ishte brenda në një anije, e cila transportonte agrume të ardhura nga Greqia. Sipas policisë italiane, anija ishte nisur nga porti i madh grek i Patras dhe kishte mbërritur ditën e djeshme në vend. Droga ishte fshehur brenda një sasie të madhe prej 18 tonelatash portokalle. Sipas agjentëve italianë, trafikantët kishin gjetur një mënyrë për të shmangur kontrollet dhe vëmendjen e autoriteteve doganore. Kjo, pasi aroma e portokalleve arrinte që të “mbyste” në mënyrën më të mirë erën e fortë dhe të dallueshme të 730 kg marijuanë. Por në sajë të kontrollit me anë të skanerit, punonjësit e doganave dhe të policisë arritën që të dallonin drogën e fshehur. Ajo ishte e ndarë në 70 pako dhe ishte fshehur brenda kamionit. Nga kontrolli i kryer në laborator nga ana e ekspertëve, rezultoi se droga ishte e një cilësie shumë të mirë dhe ishte gati për përdorim. Sipas hetuesve, sasia e drogës është prodhuar në Shqipëri. Agjentët dyshojnë se kanë të bëjnë me një linjë trafiku ballkanik, ku droga kishte si destinacion përfundimtar tregjet e qyteteve të Holandës.
Itinerari
Mediat italiane shkruajnë se kanabis sativa, pasi prodhohej në Shqipëri, futej nga trafikantët në shtetin grek nëpërmjet kufirit tokësor ndërmjet dy vendeve. Më pas, ajo transportohej për në portet greke, ku dhe nisej për në Itali. Nga këtu, trafikantët arrinin ta shpërndanin atë dhe ta shisnin në shtete të ndryshme të Bashkimit Evropian. Policia italiane vuri në pranga dy persona, përgjegjës për këtë trafik. Ata janë të dy shtetas grekë, ku njëri prej tyre jetonte dhe punonte në Holandë. Vlera e sekuestruar e drogës kap shifrën e 500 mijë eurove.
Propozimi
Pas propozimit të bërë nga ana e forcave të policisë, u vendos që sasia prej 18 ton portokalle e ardhur nga Greqia, të dërgohet si ndihmë për të gjithë të mbijetuarit e 18 komunave në tërmetin e Abruzzo-s. Hetuesit italianë po punojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë trafik ndërkombëtar të drogës. Dy të arrestuarit u shoqëruan në qelitë e paraburgimit në pritje për të dalë përpara drejtësisë italiane, për të marrë masën e arrestit. Ata akuzohen për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike.