Trafiku klandestin, tre në pranga, një grua organizatore
Trafiku klandestin përmes pikës doganore të Kakavijës drejt Greqisë ka vënë në pranga 3 persona, ndërkohë që mësohet se organizatorja është një grua. Uniformat blu të Gjirokastrës arrestuan shtetasen Marjana Nako, 33 vjeçe, Lame Dhandilin, 48 vjeç dhe 37-vjeçarin Artur Stroka, lindur dhe banues në Gjirokastër. Pas hetimeve të nisura para disa muajsh, ditën e djeshme u finalizua operacioni i koduar “Parkimi i fundit”, ku u krye edhe ndalimi i tyre. Sipas hetuesve, ishte 33-vjeçarja e cila drejtonte këtë trafik, ndërsa së bashku me dy shtetasit e tjerë ata bënin të mundur kalimin e paligjshëm të kufirit të personave të ndryshëm kundrejt një shume parash. Të tre të arrestuarit u shoqëruan në qelitë e paraburgimit në pritje për të dalë përpara gjykatës për të marrë masën e arrestit. Gjatë orëve të paradites së ditës së djeshme, Sektori i Luftës Kundër Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, finalizuan me sukses operacionin e koduar “Parkimi i fundit”, i cili çoi në pranga një grup që ushtronte aktivitet kriminal të theksuar në fushën e trafikimit të qenieve njerëzore në drejtim të shtetit grek.
Hetimi
Nga hetimet e kryera rezultoi se ky grup drejtohej nga Marjana Nako, me banim në qytetin e Përmetit. Ajo nëpërmjet lidhjeve të saj rekrutonte klandestinë në rrethet e brendshme të vendit, Dibër, Durrës, Berat, Fier, Lushnjë etj., dhe më pas kaloheshin përmes kufirit jeshil në të dyja anët e doganave, konkretisht “Tre Urat” dhe Kakavijë, kundrejt shumave 1800 deri në 2000 euro për person. Sipas hetimeve, në kalimin e paligjshëm të kufirit të këtyre shtetasve kundrejt shumave të përcaktuara më sipër, shtetasja Marjana Nako ndihmohej nga shtetasit Stroka dhe Dhandili, si dhe nga persona të tjerë të evidentuar, për të cilët po punohet për dokumentimin ligjor të aktivitetit të tyre kriminal. Investigimi i këtij grupi në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër kishte nisur muaj më parë dhe u finalizua ditën e djeshme, pas grumbullimit të provave ligjore në ngarkim të shtetasve të mësipërm. Ky aktivitet është ushtruar në mënyrë të vazhdueshme muajt e fundit, duke ndihmuar për kalim të paligjshëm dhjetëra shtetas.
U arrestuan
Marjana Nako nga Përmeti, 33 vjeçe
Lame Dhandili nga Gjirokastra, 48 vjeç
Artur Stroka nga Gjirokastra, 37 vjeç
Akuza
“Trafik ndërkombëtar i lëndëve narkotike” në bashkëpunim
Detaj
1800 deri në 2000 euro për person merrnin shtetasit e arrestuar për kalimin matanë kufirit shqiptar