Itali, kapet shqiptari me 45 kg marijuanë
Policia italiane arrestoi një shqiptar, si dhe sekuestroi një sasi prej 45 kg marijuanë që arrin një vlerë prej 70 mijë eurosh. Emiliano Shoraj, 27 vjeç është ndaluar në automjetin e tij tip "Mercedes Benz", teksa po udhëtonte në drejtim të Torinos. Një sasi prej 25 kg marijuanë është gjetur e fshehur në bagazhin e makinës. Droga ishte ndarë në pako njëkilogramshe, ndërsa sasia tjetër prej 20 kg është gjetur në garazhin e banesës së tij. Hetuesit e antidrogës arritën te grosisti shqiptar, pasi ishin vënë në ndjekje të shpërndarësve të lëndës narkotike, të cilët tregtonin drogë në qendër të Torinos dhe në lagjen "Barriera" të Milanos. Sipas policisë, shqiptari 27-vjeçar furnizonte shpërndarësit e drogës përpara disa liceve dhe shkollave të mesme në Torino.