Kapet një shpërndarës me kokainë dhe heroinë
Një shpërndarës droge ka përfunduar në prangat e policisë kryeqytetase, ndërkohë që i është sekuestruar lëndë narkotike e llojit heroinë dhe kokainë. Dy ditë më parë, specialistët e seksionit kundër narkotikëve kryen arrestimin në flagrancë të shtetasit Aleksandër Selaudin Hoxhallari, 27 vjeç, lindur në Korçë dhe banues në Tiranë. Arrestimi i tij u bë pasi u kap në flagrancë në afërsi të shkollës "Hasan Vogli" në Tiranë, ku gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj tij dhe automjetit me të cilën udhëtonte, "Volkswagen" me targa TR 2120 J, u gjetën 19 pako të mbështjella, brenda të cilave kishte pluhur të dyshuar si heroinë dhe dy pako me pluhur të dyshuar si kokainë. Policia tha se u kryen veprimet procedurale dhe në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 7.4 gramë heroinë e ndarë në 20 porcione dhe 1.2 gramë kokainë. Gjithashtu, policia i kapi tre celularë që shpërndarësi i përdorte për të shpërndarë drogën, si dhe u sekuestrua automjeti i lartpërmendur dhe shuma e parave prej 35.400 lekësh. Materialet hetimore të përpiluara në ngarkim të tij, do t‘i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale të "Prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike".