E Diel, 1 Nëntor 2026

Itali, karabinierët vrasin shqiptarin, nuk zbatoi urdhrin për të ndaluar

Një shqiptar është qëlluar për vdekje nga policia italiane, pasi nuk iu bind urdhrit të këtyre të fundit për të ndaluar gjatë ndjekjes. Shqiptari, i cili mbeti i vrarë nga karabinierët italianë, quhet Thoma Zeni dhe është 33 vjeç. Për policinë e vendit fqinj, identifikimi i viktimës ka qenë shumë i vështirë, pasi ai ka qenë pa dokumente. Sipas karabinierëve italianë, shqiptari i vrarë ishte dënuar disa herë dhe ai kishte 9 identitete të rremë. Bashkë me 33-vjeçarin ka qenë edhe një person tjetër, i cili ka arritur që t’i ikë policisë. Karabinierët italianë ishin duke ndjekur gjatë gjithë natës në Siena, dy makina, që rezultonin të vjedhura, kur atyre u ka prerë rrugën një makinë “Lancia”, edhe ajo e vjedhur. Brenda ishte 33-vjeçari që mbeti viktimë e plumbave të policisë dhe një person tjetër i paidentifikuar.

Aksioni

Karabinierët italianë ishin vënë në ndjekje të dy makinave gjatë gjithë natës, të cilat sipas njoftimeve rezultonin të vjedhura. Ndjekja po ndodhte në “Colle Valdesta”, provincë e Sienas. Automjetet ishin një “Opel Astra” dhe një fuoristradë. Ndërsa ata ishin duke vazhduar ndjekjen, një automjet tjetër. “Lancia” i pret rrugën policisë, duke u përplasur me ata. Kjo i dha mundësi dy makinave të tjera të largoheshin. Më pas, dy personat, të cilët ndodheshin brenda në “Lancia” u larguan me vrap, në përpjekje për t’u fshehur nga policisë. Karabinierët më pas qëlluan ndaj dy personave, të cilët u kishin dalë para, duke lënë të vdekur një prej tyre.

Hetimet

Hetuesit italianë kanë nisur menjëherë nga puna për të zbardhur ngjarjen, në të cilën mbeti i vrarë shqiptari. Sipas agjentëve, të cilët ishin të pranishëm në këtë ngjarje, ata kanë qëlluar me armë ndaj dy personave, të cilëve u ishin vënë në ndjekje, pasi dëgjuan zhurmën e një krisme. Për më tepër që sipas deklaratave të tyre, ata u kishin kërkuar dy personave që të ndalonin, por të dy të dyshuarit nuk kishin zbatuar urdhrin e tyre. Nisur nga kjo dhe nga zhurma prej pistolete e dëgjuar, karabinierët qëlluan ndaj dy personave, duke vrarë 33-vjeçarin shqiptar.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›