Itali kujdes kjo Gjermani eshte per rekord

Edhe dy pengesa dhe Gjermania mund të hyjë në legjendë. Në prag të gjysmëfinales kundër Italisë, “Mannschaft” mund të shikojë edhe më larg, sesa kjo sfidë. Gjithçka sepse “pancerat” e kanë të qartë se ky është shansi për të hyrë në histori.
Skuadra e Joakim Lëv nuk është vetëm ekipi me moshën mesatare më të ulët në Euro 2012, por ata janë edhe të vetmit që kanë arritur ti fitojnë të gjitha ndeshjet e luajtura deri në këtë fazë.
Më parë, vetëm pesë skuadra të tjera kanë arritur ta realizojnë diçka të tillë në një turne ndërkombëtar, megjithatë vetëm Brazili në dy raste, ka arritur të triumfojë në të gjitha sfidat pa qenë nevoja të luhet koha shtesë apo të ekzekutohen 11-metërshat. “Seleçao” ka arritur ti mposhtë të gjithë kundërshtarët që i dilnin përpara si në Botërorin 1970, ashtu edhe në Botërorin 2002.
Megjithatë, Gjermania mund të bëjë edhe më mirë. Në historinë e Kupës së Botës apo të Kampionatit Europian, vetëm një skuadër ka arritur ti fitojë të gjitha ndeshjet mes kualifikueseve dhe fazës finale. Kjo ecuri i takon Brazilit legjendar të vitit 1970, që në finalen e Aztekas shkatërroi 4-1 Italinë. Megjithatë, Pele me shokë kishin fituar vetëm 12 ndeshje, gjashtë kualifikuese dhe gjashtë në fazën finale.
Deri më tani, skuadra e Lëv ka bërë edhe më tepër. Mjafton të kujtosh që “Mannschaft” i fiton të gjithë përballjet që prej finales për vendin e tretë në Botërorin 2010 me Uruguain. Plot 15 ndeshje zyrtare radhazi. Një rekord absolut për përfaqësuesen e Gjermaninë.
Tashmë mbetet për t’u kaluar vetëm primati me 19 ndeshje zyrtare radhazi të fituara nga Spanja nga 12 shtatori 2007 deri më 20 qershor 2009. Por, nëse fitojnë titullin europian, fillimisht “pancerat” do të barazonin Brazilin e viteve ’70 me 17 fitore radhazi, ndërsa rekordin historik do ta realizonin duke fituar tre kualifikueset e para me Ishujt Faroe, Austrinë dhe Irlandën.