PORTUGALI-SPANJE Derbi iberik vlen një biletë për në finale
Ora: 20:45, në Donjeck
Formacionet e mundshme:
Portugalia: Rui Patrisio, Perreira, Pepe, Alvesh, Koentrao, Moutinjo, Velozo, Meireles, Nani, Almeida, K.Ronaldo.
Spanja: Kasiljas, Arbeloa, Ramos, Pike, Alba, Buskets, K.Alonso, D.Silva, Ksavi, Injesta, F.Torres
Portugezët e bazuar te Kristiano Ronaldo sfidojnë kampionët e Europës në fuqi. Objektivi është i përbashkët për të dy ekipet: arritja në finalen e madhe të Euro 2012
Sulmuesi i Portugalisë, Helder Postiga, nuk do të luajë për shkak të një dëmtimi në kofshë, çka do të thotë që trajneri Paulo Bento nuk do të ketë mundësi të rreshtojë të njëjtin formacion për të pestën ndeshje radhazi. Postiga mendohet se do të zëvendësohet nga sulmuesi i Beshiktashit, Hugo Almeida.
Trajneri i Spanjës, Visente del Boske, nuk ka probleme të reja me dëmtimet pas fitores kundër Francës. Megjithatë, Fernando Torres dhe Pedro mund të jenë ndoshta titullarë pasi ka zëra se kampi spanjoll është i lodhur.
Spanja e njeh më mirë se të gjithë Portugalinë dhe e di se kjo skuadër nuk varet nga një lojtar i vetëm, edhe pse Kristiano Ronaldo është në faqet e para të të gjitha gazetave.
Portugalia e shpartalloi kampionen e Europës dhe të botës në miqësoren e luajtur në nëntor 2010, me rezultatin 4-0; Ronaldo nuk ishte në mesin e golashënuesve në atë ndeshje dhe madje nuk luajti në pjesën e dytë, kur vendasit shënuan tre nga katër golat e tyre, duke e dënuar Spanjën me humbjen më të rëndë që prej disfatës 6-2 kundër Skocisë në vitin 1963.
Edhe pse ajo ndeshje ishte miqësore, Spanja luajti me një formacion të fortë, që përfshinte 10 lojtarë që luajtën në finalen e Kupës së Botës, plus David Silvën. Ronaldo për pak sa nuk shënoi një gol të jashtëzakonshëm individual kur bëri një depërtim të bukur, por ishte Nani që pa qenë nevoja e shtyu topin në rrjetë nga një pozicion jashtë loje.
I zemëruar shumë, Ronaldo reagoi duke hedhur në bar shiritin e kapitenit. Lojtari 27-vjeçar, i cili është shquar në këtë turne për gjuajtje nga çdo pozicion, e di se fama e tij varet nga performancat e bukura edhe me përfaqësuesen, njësoj siç ka bërë këtë sezon me Realin e Madridit.
Ai është lojtari më i mirë në botë pas Lionel mesit, por nuk ka shënuar dot në tri ndeshjet e mëparshme kundër Spanjës, madje në Kupën e Botës 2010 bëri një ndeshje të dobët. Ndryshe nga ai, rivali më i madh i tij, Mesi, ka shënuar dy gola në tri ndeshje kundër Spanjës.
Me sa duket, çdo gjë që bën Ronaldo, Mesi zakonisht e bën edhe më mirë, ndonëse asnjëri prej tyre nuk ka fituar ndonjë trofe madhor me përfaqësuesen.
Nëse Ronaldo do të arrijë ta frymëzojë Portugalinë drejt fitores në dy ndeshjet e ardhshme, ndoshta peshorja e të qenët lojtari më i mirë në botë mund të nisë të anojë nga portugezi.
Aftësia e Spanjës për të mbajtur topin gjatë do të thotë se kjo skuadër luan pak në mbrojtje, por kohët e fundit Spanja është kritikuar për stilin e saj të lojës, më shumë nga mediat italiane.
Gazeta La Repubblica e cilësoi fitoren 2-0 kundër Francës si “goxha të mërzitshme”, duke shkruar se këtu ndikoi mungesa e një sulmuesi të mirëfilltë. Madje kishte edhe disa fishkëllima, ndoshta nga tifozë neutralë në stadiumin e Kievit, pasi çerekfinalja u duk se do të shkonte drejt rezultatit 2-0.
A është shndërruar ndoshta “Tiki Taka” në “Tiki Takanaçio” apo mos ndoshta Spanja ishte duke ruajtur energjitë për një test më të fortë, atë të gjysmëfinales? Kjo mbetet për tu parë.
Përballjet direkte:
Kjo do të jetë ndeshja e 35-të mes këtyre skuadrave. Portugalia nuk arriti të fitojë në 15 përballjet e para, duke e thyer tabunë më në fund në vitin 1948. Spanja megjithatë ka bilanc më të mirë të drejtpërdrejtë, me 16 fitore përballë 6 të Portugalisë. Fitoret e portugezëve janë arritur të gjitha në fushën e vet.
Portugalia
- Kristiano Ronaldo ka shënuar gjashtë gola në Europiane. Vetëm Alen Shirer (me shtatë) dhe Mishel Platini (nëntë gola) kanë shënuar më shumë në historinë e këtij turneu.
- Portugezët kanë humbur katër nga pesë gjysmëfinalet e mëparshme në turne të mëdhenj dhe kurrë nuk kanë fituar në këtë fazë jashtë Portugalisë. Fitorja e vetme e tyre, 2-1, ishte kundër Holandës në gjysmëfinalen e Europianit 2004, që u luajt në Portugali.
- Portugalia e ka goditur shtyllën gjashtë herë në Euro 2012 – katër gjuajtje prej tyre kanë qenë të Ronaldos.
Spanja
- Spanja do të vendosë një rekord të ri prej 11 ndeshjesh pa humbje në finalet e Europianëve nëse arrin të mos mposhtet sonte. Humbja e tyre e fundit në këtë kompeticion ishte ajo 1-0 kundër Portugalisë në Euro 2004.
- Skuadra spanjolle nuk ka pësuar gol në tetë ndeshjet e fundit në ndeshje me eliminim të drejtpërdrejtë në turne të mëdhenj. Portieri Iker Kasiljas nuk është mposhtur në 780 minuta (13 orë) në këtë fazë, që prej golit që i shënoi Zinedin Zidan në minutën e 90-të në Kupën e Botës 2006.
- Spanja ka arritur të kompletojë 2623 pasime në Euro 2012, më shumë se dyfishi i pasimeve të Portugalisë (1159).
Kasiljas përkrah Pikenë kundër Ronaldos!
Portieri spanjoll i Real Madridit, Iker Kasiljas, ka dhënë një deklaratë për një radio spanjolle, e cila nuk duhet ti ketë pëlqyer aspak shokut të tij te Reali, Kristiano Ronaldo, të cilin sot do ta ketë kundërshtar në gjysmëfinalen e Euro 2012.
Kasiljas ka motivuar bashkëlojtarin e tij te Spanja, mbrojtësin Xherrard Pike, duke e mbështetur atë në sfidën ndaj Ronaldos, të cilin e sheh si lojtarin kyç që mund ti bëjë ballë CR7. Pike është një mbrojtës teknik dhe i fuqishëm.
Ai ka pasur shumë sfida në La Liga ndaj Kristiano Ronaldos dhe është në gjendje ta ruajë atë. Ronaldo ka qenë shumë i mirë me ekipin kombëtar por se edhe mbrojtja jonë deri më tani ka qenë perfekte.
Pike do të dëshmojë veten si një mbrojtës që mua do të mi lehtësojë gjërat. Jemi të motivuar për të fituar dhe ndalja e Ronaldos është e domosdoshme, – deklaroi Kasiljas.
Kristiano: Jam mësuar me ndeshje të tilla
Kristiano Ronaldo është i qetë dhe plot besim në prag të gjysmëfinales që Portugalia e tij do të luajë ndaj Spanjës në EURO 2012. Sulmuesi është shprehur se e dinte që golat e tij në këtë kompeticion do të vinin herët a vonë.
Nuk e nisa mirë turneun, por me ndihmën e shokëve gjithçka u përmirësua, shprehet Kristiano në një intervistë për uefa.com. Në lidhje me Spanjën, futbollisti thekson se nuk ndihet nën presion në prag të sfidës: Këto ndeshje janë pjesë e jetës sime.
Kam 10 vite që luaj ndeshje të rëndësishme me klubet dhe kombëtaren. Jam mësuar tashmë. Ndjej vetëm përgjegjësi dhe aspak presion. Do të jetë një betejë e vështirë, por është koha të mbledhim frytet e punës sonë që e kemi nisur që në fazën e klasifikueseve. Ndeshja ndaj Spanjës duhet përgatitur njësoj si të tjerat. Do të bëjmë maksimumin për të arritur finalen, përfundon lojtari i Real Madrid.
Portugezët i frikësohen arbitrit dhe Platinisë
Parashikimi i Mishel Platinisë, se finalja e EURO 2012 do të jetë Spanjë-Gjermani, ka filluar të shqetësojë së tepërmi portugezët. Një nga të dërguarit e federatës, Jose Karlos Freitas, deklaron për gazetën Record:
Në EURO 2000 ndodhi diçka e ngjashme. U tha se UEFA-s do i pëlqente një finale mes Francës dhe Gjermanisë dhe ne u eliminuam po atë ditë nga francezët. Drejtuesit e Fe
