E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rikuperohen Kielini De rosi e Abate

Italia po përgatitet për gjysmëfinalen me Gjermaninë mes pak dyshimeve, ndërsa optimizmi është rritur për rikuperimet në kohë rekord të Xhorxho Kielinit, Daniele De Rosit dhe Injacio Abates.
Të paktën sipas asaj që raportohet nga grumbullimi i “axurrëve”, dyshimet më të mëdha lidhen me gjendjen e De Rosit. Mesfushori i Romës nuk është parë që të çalonte gjatë momentit kur skuadra ka zbarkuar në Varshavë. Stafi mjekësor ka bërë të ditur që nëse lojtari, i cili kundër Anglisë u largua nga fusha në minutën e 110 të kohës shtesë do të ndjejë ende shqetësime, ai mund të luajë me gjilpëra, për të mos pasur dhimbje.
Në rastin më ekstrem, në mesfushë mund të luajë Noçerino, që tregoi se është gati. Ndërkohë, mbrojtësi Xhorxho Kielini duket se është rikuperuar plotësisht dhe pritet të marrë vendin e tij në mbrojtje. Ai do të aktivizohet në krahun e majtë, duke ulur në stol Balxaretin, edhe pse ky i fundit është paraqitur në nivele të kënaqshme.
Trajneri Prandeli nuk ka ndërmend të ndryshojë dyshen e qendrës, së përbërë nga Barxalji e Bonuçi, ndërsa pavarësisht lodhjes muskulore, në krahun e djathtë pritet të aktivizohet Abate, edhe sepse Maxho është i skualifikuar.
Në fund, te Italia qëndron edhe dyshimi për të lënë në stol Antonio Kasanon. Stafi teknik mund të vendosë që sulmuesi i Milanit të mos aktivizohet nga minuta e parë, për ti lënë vendin Diamantit. Një vend që lidhet edhe me gjendjen jo optimale të Kasanos, ndërsa Balotelit do ti duhet të përballojë të gjithë peshën e sulmit.
Gjithsesi, ashtu siç është bërë traditë, vendimet përfundimtare trajneri Prandeli do ti marrë vetëm në çastet e fundit përpara ndeshjes, edhe sepse duhet të ketë parasysh që Gjermania ka pushuar 48 orë më shumë se “axurrët”.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›