E Shtunë, 31 Tetor 2026

MANUEL NOJER Unë e kam mposhtur Italinë

Përgatiti: Admir Gremi

Numri 1 kujton fitoren ndaj axurrëve në Europianin U-21, pastaj shton: Nëse pëson një 11-metërsh si ai i Pirlos duhet të heshtësh. Për ne portierët është e hidhur të pësojmë gola të tillë.

Të enjten në mbrëmje do të luhet një nga sfidat më të shumëpritura të Europianit, një nga ato që përjetohen nxehtë jo vetëm nga popujt e dy kombëtareve që do të zbresin në fushë, Gjermanisë dhe Italisë, por nga e gjithë bota. Pas më shumë se 1 dite pushim, ndeshja me Italinë ka elektrizuar atmosferën, tregon Manuel Nojer, portier i Gjermanisë, nga hoteli ku është grumbulluar skuadra.

Çfarë do ti thoshit një kundërshtari, nëse do të të shënonte një penallti si ajo e Pirlos ndaj Anglisë?

Asgjë, nëse pësoj gol, atëherë duhet të mbyll gojën. Por, nëse e gabon, përkundrazi…

A do të duhej të ishte i autorizuar portieri për të ofenduar?

Neve nuk na pëlqen të injorohemi në atë mënyrë, por secili ka mënyrën e vet të të reaguarit. Gjithçka shkoi mirë, Hart nuk reagoi për keq.

E nëse do ta përsëriste sërish të enjten, kundër jush?

Do të isha i kujdesshëm, por mundësitë janë të pallogaritshme. Ndoshta përgatitem për parablën dhe ai e godet në cep. Gjuajtësit i kanë të gjitha mundësitë: janë me fat.

Edhe ju gjuani penallti, kujtojmë finalen e Championsit ndaj Çelsit. Do ta bënit sërish ndaj Italisë?

Varet se kush do të ketë mbetur në fushë. Por, nuk do ta kisha problem.

Sa do të kishit pritur ju atë mbrëmje?

(Qesh) Nuk kishte nevojë për mua, mendonte Xhixhi atë ndeshje.

Do ta ndërronit fanellën me të, edhe pse idhujt e tu kanë qenë Van der Sar dhe Lehman?

Edhe Bufon: për qëndrimin dhe këmbënguljen e tij ndër vite.

Italia do të jetë shumë e lodhur: ju bën më shumë favoritë kjo?

Jo, do të jemi të barabartë. Axurrët kanë rigjetur shpirtin e grupit, që u kishte humbur në Botërorin 2010. Isha i sigurt se do të kalonin, kur pashë se si u përqafuan përpara penalltive.

Po Gjermania, si është përmirësuar në krahasim me Botërorin?

Në aspektin e kualitetit të skuadrës: cilido që futet në fushë si zëvendësues, nuk e ndryshon vlerën e ekipit. Madje krijon efektin surprizë: jo të gjithë rezervat janë të njohur për kundërshtarët.

Tregohuni të sinqertë: ju i njihni të gjithë axurrët?

Sigurisht, të gjithë ata që kanë luajtur i njoh.

Ku luan Diamanti?

…

Te Bolonja. Po Balzareti?

Di sesi luan, por se ku…?!

Palermo.

Ok, gjithsesi di numrin e Diamantit: 22. Njoh mirë edhe gjermanin.

Mos është ndonjë shoku yt i skuadrës?

Jo, e kam fjalën për numrin 18, gjermanin: Montolivo. Gaboi një penallti, por duket që është me gjak gjermani, vrapon sa për 3 veta… edhe për Pirlon.

Sipas Gazzetta dello Sport, ju ishit lojtari më i mirë në gjysmëfinalen e Europianit U-21 në vitin 2009: Gjermani-Itali 1-0. Kujtime të bukura?

Shumë prej atij grupi janë protagonistë në ekipin e sivjetshëm: Ozil, Khedira, Boateng, Humels. Ndërsa nga ju janë Baloteli e Xhovinko, i kujtoj mirë. Mario godiste nga të gjitha anët, njërën prej gjuajtjeve të tij e kam pritur me këmbë. Ne shënuam nga 40 metra dhe më pas bëra mrekulli në portë. Është gjithmonë bukur të mposhtësh Italinë.

E si të mos jetë… atëherë të flasim pak për traumën e Dortmundit. Mats Humels ka thënë se gjatë gjysmëfinales së 2006-s, pas golit të parë të Italisë u largua në shtëpi, pa pritur fundin e ndeshjes. Po ju?

Jo, unë isha në shesh, në Gelsenkirshen. Shpresoja deri në minutën e 120-të, por më kot. Por, Gjermania ka ndryshuar: është më shumë moderne dhe më e shpejtë për të reaguar. Më këtë dua të them: më e shpejtë me topin kur ndodhet në sulm, dhe po aq e shpejtë në rikthimin në mbrojtje, kur nuk e zotëron topin.

Ju, duke qenë portier, e shihni ndeshjen në një mënyrë të ndryshme. Shpesh herë me Bajernin apo Gjermaninë qëndroni për një kohë të gjatë pa e prekur topin. Mërziteni?

Ka disa ndeshje të caktuara, ndoshta kundër Azerbajxhanit, në të cilat nuk mund të bëj asgjë. Ka edhe të tjera, këtu përfshij edhe ato me Bajernin, kur pret për një kohë të gjatë, pastaj me gjuajtjen e parë të shënojnë gol. Është një situatë që të konsumon nervat, edhe Bufon e ka theksuar njëherë këtë gjë. Diçka e dëmshme për portierët.

Me Italinë nuk do të ndodhë: i keni parë Kasanon dhe Balotelin?

Të frikësojnë për një moment. Por, të dielën, u mungoi prekja decizive.

Çfarë është Neuer Kids Foundation?

Është një fondacion bamirësie në ndihmë të fëmijëve të varfër: për zonën ku kam lindur (Gelsenkirshen). Aty gjendet përqindja më e lartë e fëmijëve të varfër në Gjermani: rreth 24%. Kjo do të thotë se 1 nga 4 fëmijë është në disavantazh social. Ne mundohemi ti ndihmojmë, ndonjëri nuk ka as ushqim të nxehtë, pajisje shkollore apo mundësi për edukim. Nëse mundemi, ua ofrojmë.

500 mijë eurot e fituara në versionin VIP të Kush do të bëhet milioner kanë shkuar për fondacionin tuaj?

Jo, te një tjetër e menaxhuar nga televizioni që transmeton Quiz-in. Mungonte vetëm 1 përgjigje dhe mund të kisha marrë 1 milionë.

Cila pyetje ishte?

Çfarë ka shpikur Martin Behaim? Nuk e dija dhe nuk rrezikova. Ishte harta e botës.

Menduam se mos ishte: ku luan Diamanti?

(Qesh) Bolonja.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›