Itali, marshim kundër mafias në Napoli

Rreth 100 mijë persona kanë demonstruar në Napoli kundër mafias në kuadër të ditës në kujtim të viktimave të "Oktapodit". Kortezhi i drejtuar nga anëtarë të familjeve të viktimave të mafias, përbëhej nga mijëra persona të ardhur nga të gjitha zonat e Italisë dhe tridhjetë vende nga mbarë bota. Ky përvjetor i 14-të i Ditës në kujtim të Viktimave të krimit të organizuar u organizua nga prifti Luixhi Çoti, president i shoqatës "Libera". "Mafia dhe Kamorra, nuk janë të përjetshme, ato mund të munden", deklaroi Antonio Basolino, president i Kampanias, rajoni që ka si qendër Napolin. "Motoja jonë duhet të jetë "vazhdimësia", sepse duhet luftuar 365 ditë në vit kundër mafias", tha Basolino, duke kërkuar burime të tjera për forcat e rendit dhe drejtësinë. "Jam e zemëruar dhe më pak optimiste se 17 vjet më parë, kur u vra im vëlla. Mafia ka ndryshuar, është më e rrezikshme, është futur më mirë nëpër ganglionet e pushtetit, pra situata është më e keqe se para 17 vjetësh. Kemi nevojë për institucione që të na qëndrojnë afër dhe për më shumë burime", u shpreh Rita Borselino, motra e gjykatësit Paolo Borselino, i vrarë nga 'Cosa Nostra' në qendër të Palermos, në Siçili. Katër mafiet italiane, "Cosa Nostra" siçiliane, "Camorra" napolitane, "Ndrangeta" kalabreze dhe "Sacra Corona Unita" e Puljas, kanë shkaktuar më shumë se 900 të vdekur gjatë dhjetëvjeçarëve të fundit.