E Diel, 1 Nëntor 2026

Itali, miratohet buxheti faktik, Berluskoni humb shumicën

ROME - Buxheti faktik i Italisë u miratua me 308 vota, por 309 deputetë votuan gjithsej ndërsa 321 të tjerë bojkotuan votimin. Mediat italiane raportojnë se kryeministri Berluskoni pritet të takohet me presidentin e vendit Giorgio Napolitano.

BERLUSKONI TAKIM ME PRESIDENTIN NAPOLITANO
Ora-18:44  Mediat italiane raportojnë se kryeministri Berluskoni pritet të takohet me presidentin e vendit Giorgio Napolitano për të diskutuar rezultatin e votimit të sotëm në Dhomën e Ulët të Parlamentit italian.

Burime brenda partisë së kryeministrit përjashtuan mundësinë e dorëheqjes së Berluskonit, duke konfirmuar se takimi do të zhvillohet vetëm për të diskutuar situatën.

Eurokomisioneri për çeshtjet ekonomike Olli Rehn e cilësoi tepër shqetësuese situatën në Itali dhe bëri të ditur se të mërkurën do të nisë puna e misionit monitorues të KE-së në Romë.

MIRATOHET BUXHETI FAKTIK, BERLUSKONI HUMB SHUMICËN
Ora-16:55  Kryeministri italian Silvio Berluskoni ka humbur mazhorancën në Dhomën e Ulët të Parlamentit.

Buxheti faktik i Italisë u miratua me 308 vota, por 309 deputetë votuan gjithsej ndërsa 321 të tjerë bojkotuan votimin. Rezultatet tregojnë se kryeministri Berluskoni ka marrë më pak se gjysma e votave të Dhomës së Ulët.

Pavarësisht se opozita nuk votoi, shumë deputetë të koalicionit qeverisës së kryeministrit nuk morën pjesë në votim.

Edhe 5 deputetë të partisë së Berluskonit, “Populli i Lirisë”, njoftuan përpara votimit se nuk do të merrnin pjesë, duke vënë kështu në rrezik mazhorancën e Berluskonit.

Në fakt, aleatët e tij brenda koalicionit, nga radhët e “Ligës së Veriut”, i bënë thirrje Berluskonit të japë dorëheqjen, pasi tregjet financiare nuk kanë më besim se ai mund të menaxhojë krizën e borxheve në vend.

(er.nu/BalkanWeb) Lidhje te tjera Rehn: Situata ekonomike në Itali shumë shqetësuese

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›