Zhduket prej 8 ditësh biznesmeni
TIRANË – Prej 8 ditësh Arjan Bulku rezulton i zhdukur dhe familjarët nuk kanë asnjë njoftim për të. Lajmi në fjalë bëhet publik nga ana e vetë familjarëve të Bulkut, të cilët, në një televizion, kanë denoncuar zhdukjen e të afërmit të tyre. Arjan Bulku, 39 vjeç, i martuar, me 3 fëmijë, banon në Tiranë, në zonën e njohur me emrin si Qyteti i Nxënësve. Bulku, i cili ka një lokal në Tiranë, është zhdukur që prej së dielës, datë 27 dhjetor. Pasditen e kësaj dite, në orën 17:30, ai i ka thënë familjes se do të shkonte te tekniku i televizorit. 39-vjeçari është larguar për te tekniku i televizorit, të cilin s’e ka takuar kurrë, me makinën e tij “Golf 3” të verdhë me targë TR 1947 S. Në datën 27 dhjetor, në orën 18:25 ai ka tentuar t’i bëjë një telefonatë të gjatë vëllait të tij, i cili s’e ka hapur pasi nuk i ka kushtuar rëndësi. Më pas celulari i tij ka rezultuar i fikur prej ditësh. Pas tetë ditësh as Bulku dhe as makina e tij nuk janë parë në Tiranë. Të ndodhur përpara kësaj situate, të afërmit e tij kanë bërë apel në media për zhdukjen e tij. Sipas tyre, Arjani është në gjendje të mirë mendore, nuk ka pasur asnjë konflikt dhe se ditën e zhdukjes s’ka pasur kontakt me askënd që ata njohin. "Nuk dimë të ketë pasur konflikte. Mësuam se ditën e zhdukjes nuk e ka takuar teknikun e televizorit, por as makinën nuk e kemi parë më", - deklaruan të afërmit e tij.
Vetëm pak ditë më parë, një tjetër rast zhdukje është regjistruar në qytetin e Vlorës, ku një i emigrant është zhdukur pa lënë asnjë gjurmë.
Makina del nga rruga, 6 të plagosur
ELBASAN - Një aksident i rëndë automobilistik me bilancin 6 të plagosur është shënuar dje paradite në aksin Librazhd-Elbasan, në vendin e quajtur Babje. Një makinë tip fuoristradë me targa italiane BC 860 J, pasi u përplas me një bordurë, ka dalë nga rruga dhe si pasojë kanë mbetur të plagosur 6 personat që udhëtonin në të. Sipas policisë, personat e plagosur janë Naze, Sokrat e Ylvi Salla, si dhe Diana Elli, Olgerta Lila e Ylli Bego. Të plagosurit janë dërgua menjëherë në Spitalin rajonal të Elbasanit. Burime nga ky spital konfirmuan se njëri prej të plagosurve ndodhet në gjendje të rëndë për jetën dhe është nisur menjëherë për në Spitalin Ushtarak në Tiranë. Shkak, sipas policisë, mendohen të kenë qenë ngricat në rrugë dhe shpejtësia me të cilën udhëtonte automjeti. Dyshohet se fillimisht makina ka rrëshqitur si pasojë e ngricës, është përplasur me bordurën dhe më pas ka dalë nga rruga duke plagosur gjashtë pasagjerët.
Të plagosurit
Naze Salla
Sokrat Salla
Ylvi Salla
Diana Elli
Olgerta Lila
Ylli Bego
Vazhdon fluksi i largimit të emigrantëve
Kakavijë – 1300 emigrantë dhe 350 automjete kanë kaluar brenda 24 orëve të fundit në pikën kufitare të Kakavijës. Lajmi konfirmohet nga Policia Doganore, e cila bën të ditur se vazhdon fluksi i emigrantëve që largohen nga vendi. Po sipas të njëjtave burime mësohet se piku i kalimeve ka qenë dy net më parë, ndërsa në ditët në vijim ka vazhduar në rënie. Pala shqiptare është duke punuar me kapacitet të plotë me qëllim evitimin e radhëve të gjata, të cilat përsëriten çdo vit në pikat kufitare. Edhe pse numri ka vazhduar në rënie, policia bën të ditur se do të vazhdojë të punojë me kapacitet të plotë deri në largimin e të gjithë emigrantëve që janë kthyer në vend me rastin e festave të fundvitit.
5 Janar 2010