Itali, pranga anëtarit të bandës së Durrësit
TIRANE – Kapet në Itali anëtari i bandës së Durrësit. Lajmi është bërë i ditur nga burime zyrtare të Policisë së Shtetit, sipas të cilave krerët e Interpol-Tiranës janë njoftuar nga kolegët italianë se dy ditë më parë në Trento, Itali, është arrestuar 36-vjeçari durrsak Bujar Gashi, anëtar i bandës së Durrësit. Gashi akuzohet për vrasje në bashkëpunim dhe armëmbajtje pa leje, ndërsa ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Krimet e Rënda më 21 korrik 2008 kanë caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për të. Organi i akuzës pretendon se më datë 9 korrik 2000, rreth orës 22:00 në fshatin Shënavlash të Durrësit është vrarë me armë zjarri brenda në makinën e Gashit, i riu Dritan Disha. Të dyshuar për kryerjen e kësaj vrasje, veç Gashit janë edhe Indrit Dokle, Adriatik Coli dhe Indrit Taullai. Dosja e Gashit u nda nga ajo e anëtarëve të tjerë të bandës, pasi Prokuroria kishte ngatërruar të akuzuarin me një person tjetër nga Durrësi, që kishte gjenealitete të njëjta. Prokuroria u detyrua ta tërhiqte akuzën për këtë person, ndërsa nisi hetimin për të arrestuarin e dy ditëve më parë. fa.ma.